Presidenti kërkon hetim për Rinasin, i dorëzon prokurorisë dosjen sekrete të Këshillit të Sigurisë

Presidenti kërkon hetim për Rinasin, i dorëzon prokurorisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkoi hetim të thelluar për grabitjen në aeroportin e Rinasit duke kujtuar se me 16 maj të vitit 2018 u lanë detyra për institucionet pikërisht për sigurinë aeroportuale. Presidenti tha se do të vendosë në dispozicion të prokurorisë të gjithë dokumentat nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Grabitja një ditë më parë në aeroportin e Rinasit nxori në një konferencë të posaçme pasditen e sotme Presidentin e vendit Ilir Meta.

Nga Presidenca, Kreu i Shtetit tha se një ngjarje e tillë është e  papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të përgjergjshmërisë.

Meta: Nisur nga ngjarja tronditëse e grabitjes së djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndiej detyrimin dhe përgjegjësinë si President i Republikës për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me ju dhe opinionin publik. Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë. Si vend anëtar i NATO-s, kemi detyrimin të garantojmë standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht atë të infrastrukturës strategjike portuale dhe aeroportuale. Si President i Republikës e konsideroj ngjarjen e përsëritur të grabitjes së djeshme brenda perimetrit të sigurisë të aeroportit "Nënë Tereza" cënim serioz të sigurisë kombëtare, të rendit publik dhe të imazhit të vendit tonë.

Meta kërkoi hetime intensive  për kapjen e autorëve të grabitjes por edhe gjetjen e vlerave monetare të marra.

Meta:  U kërkoj të gjithë agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri dhe intensitet operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve përgjegjës si dhe për gjetjen e vlerave monetare të grabitura. Të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë dhe të përsëritur.

Presidenti gjithashtu kërkoi të nxirren dhe evidentohen përgjegjësitë e plota për çdo institucion që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për parandalimin e kësaj ngjarje të përsëritur që mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda dhe të rrezikshme dhe pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë por edhe atyre të huaj.

Kreu i Shtetit kërkoi nga Prokuroria  të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi të papërgjegjëm që nuk ka kryer detyrën.

Nga ky moment, tha Meta, institucioni i Presidentit të Republikës vendos në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 maj 2018 dhe të gjitha konkluzioneve të tij.

Ilir Meta: Si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 16 maj 2018, sikurse dhe ju e dini, kam organizuar mbledhjen e këtij Këshilli me objekt “Gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018; kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile, sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtjen kibernetike”.

 Pika 3 e axhendës së këtij takimi ishte “Raporti mbi sigurinë e infrastrukturave strategjike, portuale dhe aeroportuale, të RSH-së”.

Bazuar mbi raportet paraprake të përcjella nga institucionet përgjegjëse, kam ngritur në mënyrë të veçantë shqetësimin lidhur me:

Mungesën e përgjegjësive të qarta mbi sigurinë në Aeroportin Nënë Tereza;

Mangësitë në akses dhe koordinim për ndërhyrjen e duhur të Policisë së Shtetit në rast rreziku.

Këto shqetësime u mbështetën dhe u evidentuan edhe nga përfaqësuesit e disa Institucioneve të rëndësishme në këtë mbledhje.

Në konkluzion të kësaj pike të axhendës u evidentua domosdoshmëria e trajtimit urgjent të të gjithë problematikës dhe zgjidhjen e saj përfundimtare.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit, detyrat e dala për secilin institucion u janë përcjellë zyrtarisht të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 8 qershor 2018, sipas përgjegjësive përkatëse.

Ndër këto detyra, është kërkuar ngritja urgjent e grupit të përbashkët të punës nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të të gjithë problematikës së sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, sikurse u evidentua edhe gjatë ngjarjes së grabitjes së parë brenda pistës së fluturimeve.



EMISIONET