Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dënuar sulmin me armë në drejtim të banesës së prindërve të gazetares, Klodiana Lala. Meta inkurajon gazetaren mos trembet nga shantazhet, ndërsa thotë se organet e zbatimit të ligjit të venë para përgjegjësisë autorët. 

"Edhe përmes një bisede telefonike ku shprehu solidaritet të plotë me gazetaren Lala, dy vajzat e saj të mitura dhe prindërit e saj, Presidenti Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush", thuhet në reagimin e Presidentit Meta. 

“Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj.

Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, - nënvizoi Presidenti Meta.

Burimet për "Ora News" konfirmojnë gjithashtu se për këtë ngjarje Presidenti Meta ka komunikuar edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Lexoni: Të gjitha lajmet mbi sulmin ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala






/Ora News.tv/