Në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti Ilir Meta ka mbështetur parimet dhe principet e kësaj organizate, ndërsa u shpreh se Shqipëria është e vendosur të vazhdojë rrugëtimin integrues në BE, duke përparuar me reformat.

Meta: Ndërsa presim një vendim pozitiv në të ardhmen për të hapur negociatat e pranimit me Bashkim Europian, ne mbetemi të përkushtuar për të ecur përpara dhe pa vonesë me reformat e brendshme në fusha kyçe. Ne gjithashtu e konsiderojmë përparësinë e Bashkimit Europian për bashkëpunim të hapur rajonal si një politikë të domosdoshme.

Më tej Meta mbështeti zgjerimin e njohjeve për Kosovën, si dhe një marrëveshje të drejtë mes palëve.

Meta: Dialogu ka hyrë në fazën e tij të fundit, dhe pritet që të përfundojë me një Marrëveshje të detyrueshme ligjore mbi normalizimin tërësor të marrëdhënieve midis dy shteteve. Është me rëndësi jashtëzakonisht të madhe që kjo Marrëveshje e pritshme të mishërojë energji pozitive, duke nxitur e ushqyer vlerat europiane të bashkëjetesës dhe harmonisë ndëretnike.

Ne u bëjmë thirrje dhe mirëpresim çdo përpjekje të shteteve anëtare të OKB-së për vazhdimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës si dhe mbështetjen e mëtejshme të anëtarësimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mbështetjen për ratifikimin përfundimtar të marrëveshjes së Prespës të arritur mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit, ndërsa inkurajoi dhe faktorin politik shqiptar që të luajë rolin e tij në këtë drejtim.


Fjala e Presidentit Ilir Meta në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

/Ora News.tv/