Në pritjen zyrtare me rastin e festës së 28 Nëntorit, Presidenti Ilir Meta veçoi në fjalën e tij problemin e emigracionit, duke theksuar se ai po e gërryen Shqipërinë.

Meta: Ne shqiptarët, jemi një nga popujt me nivelin më të lartë të emigracionit në botë, por fatmirësisht ia kemi dalë të ushqejmë dhe të përçojmë brez pas brezi, kudo ku jetojmë, dashurinë për atdheun dhe identitetin kombëtar, për gjuhën dhe kulturën, për traditat dhe zakonet e të parëve tanë. Prandaj, edhe diaspora jonë sot është një vlerë e jashtëzakonshme e kombit shqiptar.

Duhet të bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mpaket nga emigracioni që po gërryen çdo ditë energjinë dhe potencialin e rinisë shqiptare, dhe bashkë me të edhe aftësinë ripërtëritëse e të pazëvendësueshme për përparimin e nesërm të vendit.

Meta e konsideron këtë problem një kambanë alarmi për politikën.

Meta: Kjo është një kambanë alarmi për klasën politike, për të ofruar besim, siguri e mundësi më të mira, më të shpejta e më të qëndrueshme për të rinjtë dhe për forcat më krijuese të shoqërisë.

/Ora News.tv/