Presidenti, Ilir Meta, nuk i druhet asnjë vendimi të marrë prej tij, përfshorë edhe atë më të fundit për Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, qeveria po synon të kapë institucionet e reja të drejtësisë dhe sidomos Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk kam frikë unë. Të kem unë frikë nga Edi Rama?! SPAK? Po lërini këto marrëzira. Nuk kam unë asnjë frikë. As nga Ulsiu (Manja red.) që ma keni bërë si Uliksi. Kaq mirë po ecin gjërat në reformën në drejtësi sa dhe Shqipëria po shkon kaq poshtë.

Raporti i Doing Bussines ka rënë 19 vende vetëm për shkak të këtyre reformave. Sa herë vjen një diplomat këtu që do të marrë dieta dhe paga duhet që unë të besoj çfarë thonë ata? Unë kam ligjin dhe Kushtetutën” – tha Meta në një intervistë për "Opinion."

Dekreti i presidentit Ilir Meta për Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese do të diskutohet ditën e premte në seancën plenare të jashtëzakonshme që socialistët kanë thirrur.

Në Konferencën e Kryetarëvetë mbledhur sot u miratua dhe projektrezoluta që do të diskutohet,  që ka në qendër kërkesën ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera  për të mos zbatuar dekretin e Presidentit, pasi sipas socialistëve, është në shkelje të Kushtetutës.



/Ora News.tv/