Kreu i Shtetit, Ilir Meta në një intervistë ekskluzive për RTV Ora foli edhe për qëndrimin e ndërkombëtarëve për situatën në vend. Presidenti tha se është e  pamoralshme që ndërkombëtarët përpiqen të justifikojnë problemet me të cilat është ndeshur zbatimi i reformës në drejtësi.

Beti Njuma: A nuk e shihni se ka një distancon të faktorit ndërkombëtar nga veprimet e opozitës?

Presidenti Meta: Unë nuk pres që dikush të vlerësojë veprimin e opozitës në drejtim të lënies së mandateve apo edhe përsa i takon çështjes së mosregjistrimit në zgjedhje. Këto unë i vlerësoj si qëndrime të papranueshme. Ashtu sikurse për mua është e pamoralshme të dëgjoj çdo lloj ndërkombëtari që përpiqet të justifikojë problemet serioze madhore me të cilat është ndeshur zbatimi i reformës në drejtësi, sepse po bëhen 3 vite. Të gjitha këto me faktin që kemi suksese të mëdha  dhe duke përdorur disa statistika të sipërfaqshme të procesit të vetingut. Kjo për mua është e papranueshme, sepse në asnjë vend demokratik, në asnjë vend të BE vendi nuk mund të qëndrojë 1 minutë pa Gjykatë Kushtetuese. Ky nuk është një standard që meritojnë qytetarët shqiptarë, nuk është një standard që demokracinë tonë dhe vendin tonë e ndihmon për të çelur shpejt negociatat me BE.

Dekretet që kam kthyer kanë qenë në mënyrë të qartë në shkelje të kushtetutës,

Beti Njuma: Më shumë se njëherë Kryeministri ju ka akuzuar për  shkelje të Kushtetutës, po të kemi parasysh rrëzimin e dekreteve.

Presidenti Meta: Të gjitha dekretet që Presidenti i Republikës ka kthyer kanë qenë në mënyrë të qartë në shkelje të kushtetutës, i vetmi dekret i cili është kthyer për ti dhënë një mundësi kërkesave të studentëve që të merreshin në konisderatë, ka qenë ai për buxhetin e shtetit dhe ky është kthyer pasi drejtuesit e grupit parlamentar të shumicës në seancën përkatëse kanë paraqitur si argument se nuk mund të reflektoheshin në buxhet për arsye sepse pr/buxheti kishte vajtur tek Presidenti për tu konfirmuar. Në këtë drejtim unë jam i qetë, i kam kryer përgjegjësitë e mia dhe do t'i kryej me përgjegjësi të plotë dhe shpresoj që secilit ë reflektojë për tua kursyer shqiptarëve një histori që ata nuk e meritojnë pas 3 dekadash.

Lexoni pjesën tjetër të intervistës së Presidentit Meta: Pa zgjedhje të ndershme nuk ka çelje negociatash as në vitet që vijnë

/Ora News.tv/