Mali i shenjtë i Tomorit ka zbutur dhe tensionet politike që kanë përfshirë Shqipërinë prej disa muajsh.  Kryegjyshi Edmond Brahimaj në nisjen e pelegrinazhit ka dekoruar presidentin Ilir Meta për kontributin e dhënë.Por Kreu i Shtetit në falenderimin e bërë ka veçuar prezencën e Ministrit Klosi, duke e cilësuar këtë një shenjë pozitive për zhvillimet në ditët e ardhshme.Edhe ministri Klosi ka vënë theksin te fuqia që mbart mali i Tomorrit.Pelegrinazhi në Tomorr zgjat për shtatë ditë, ku numri i pjesëmarrësve pritet të shkojë deri në 400 mijë.

A po shkrihen akujt? Presidenti Ilir Meta dhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi, ishin të pranishëm mesditën e sotme në ceremoninë që mbahet në malin e Tomorrit ku vijon pelegrinazhi në Teqenë e Kulmakut.

Kreu i Shtetit e quajti "shenjë të mirë" vizitën e 'mysafirit të nderuar" i cili vitin e kaluar nuk ka qenë i pranishëm. 

Ilir Meta: "Nuk do të flas gjatë sot sepse kemi shumë mysafirë të nderuar, të cilët një vit më parë nuk kanë qenë këtu dhe kjo është një shenjë e mirë. Kjo do të thotë që punët për vitin që vjen do të shkojnë më mirë në vendin tonë dhe në gjitha hapësirat tona, kuptohet edhe me ndihmën e Abaz Aliut. Dua të them se jo më kot, poeti ynë i madh kombëtar në momentet më të vështira të mbarëkombit për ti dhënë fuqi shqiptarëve, për tu zgjuar, për të patur më shumë vetëbesim, iu referua dhe i dha vendin që meritonte edhe në poezi e poemë pikërisht figurës madhështore të Abaz Aliut. "Abaz Aliu zu Tomorr/
Erdhi afër nesh/ Shqipëria s'mbet e gjorë/ Se Zoti e desh... Ndaj dhe ne mblidhemi cdo vit këtu në Malin e shenjtë të Tomorrit për të nderuar jo vetëm këtë figurë të shenjtë, por për të nderuar të gjithë ato legjenda, ato personalitete, ata baballarë, të cilët përmes bektashizmit bënë dhe bëjnë më të mirën dhe për cështjen tonë kombëtare."

Kreu i shtetit pasi përshëndeti të ftuarit mes tyre dhe ministrin e Turizmit, Blendi Klosi, uroi ti japë të gjithëve forcë Abaz Aliu në rrugën për një Shqipëri më të drejtë dhe më të bashkuar.

Ilir Meta: "Të gjithë ata që bënë gjithcka për gjuhën shqipe, që bënë çdo gjë për të nxitur gjithmonë të gjitha lëvizjet për clirim kombëtar, bashkim kombëtar, të cilët punuan gjithmonë pa u lodhur për të forcuar harmoninë ndërfetare në vendin tonë. Ndaj dhe duke falenderuar edhe Kryegjyshin për këtë organizim dhe për të gjithë ju që keni ngjitur këtë mal të shenjtë, Malin e Tomorrit dua t'ju uroj të gjithëve suksese dhe mbarësi në familjet tuaja, të gjithë besimtarëve beshktashinj kudo ku ndodhen, të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen dhe të na japë të gjithëve forcë Abaz Aliu në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të bashkuar, për një Shqipëri të vërtetë europiane, sic e meritojnë të gjithë shqiptarët. Na ndihmoftë Abaz Aliu të gjithëve. Rroftë Shqipëria!"

"Sofra e perendise"

Nga ana e tij ministri i turizmit kujtoi legjendën sipas të cilës mali i Tomorrit është "sofra e perëndisë" dhe bëri dhe një përshëndjetje në emër të presidentit Ilir Meta. 

Blendi Klosi: "Legjenda thotë që jemi në Sofrën e Perëndisë. Mbase legjendat janë legjendë, por fakti që gjithë komuniteti ynë bektashi vit për vit shtohet dhe beson kaq shumë në këtë mal, kjo do të thotë që ka fuqi të pashtershme që buron nga mirësia e komunitetit bektashi dhe banorëve të kësaj zone. Prandaj më lejoni që edhe në emrin e Presidentit të Republikës, të të ftuarve shumë të lartë që janë së bashku me ne, në emër të kryetarit të bashkisë së Skraparit dhe autoriteteve tjera, t'ju uroj gjithë komunitetit, kalofshin ditë të paqes dhe vëllazërisë."

Premtimi i Klosit

"Më lejoni që t'ju uroj gjithë komunitetit, kalofshin ditë të paqes dhe vëllazërisë. Po në emër të qeverisë shqiptare dhe personalisht kryeministrit Edi Rama, do doja që t'ju uroja të gjithëve që së bashku të arrijmë të realizojmë komunitetin dhe këtu në Malin e Tomorrin, një zonë të pastër, të mirëmbajtur. Dhe të kemi mundësinë që së bashku me kryetarët e Bashkive, të Skraparit, Policanit, Beratit për vitin tjetër, nën drejtimin e komunitetit të kemi një organizim më të mirë pasi është një hapësirë që nuk i takon vetëm komunitetit tonë, është një hapësirë që i takon gjithë shqiptarëve. Një hapësirë që shumë lehtë mund të kthehet në një simbol të turizmit shqiptar, turizmit religjoz apo për natyrën e bukur të kësaj zone. I jam bashkuar nismës së shumë të rinjve për të mbrojtur malin e Tomorrit, për ta shndërruar në një mal të magjishëm, aq të bukur sa Perëndia e ka krijuar dhe aq të fortë sa besimi ynë e ka mbajtur. Kalofshi një ditë të bukur, të paqtë me familjet tuaja dhe Abaz Aliu të gjithëve na ndihmoftë.


 

/Ora News.tv/