Presidenti, Ilir Meta, ka dekretuar anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese. Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, ka marrë firmën e Kreut të Shtetit si anëtar në këtë gjykatë nga lista me katër emra që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dërgoi në zyrën e Kreut të Shtetit.

Por Prokurori nuk ka mbaruar ende punë me vettingun pasi ndodhet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pas ankimit të vendimit të KPK-së nga Komisioneri Publik, i cili kërkon shkarkimin e Muçit nga detyra.

Vetëm disa orë pas dekretimit, Muçi u paraqit në Kolegj ku zhvilloi seancën e radhës në Shkallën e Dytë.

Trupi gjykues vendosi të deklasifikojë një dokument të DSIK të kërkuar nga Komisioneri ku thuhej se Prokurori kishte marrëdhënie kontraktuale me persona me precedent penal duek pasur detyrime ndaj njërit prej tyre në shumën 21 mijë euro, e cila sipas Komisionerit mund të shërbejë si rrethanë dhe argument që mund të vihet lehtësisht në presion.

Prokurori ka sqaruar se bëhej fjalë për dy persona që kanë qenë të proceduar njëri për moskallëzim krimi dhe tjetri për drejtim mjeti në gjendje të dehur, të cilëve u ka blerë një shtëpi dhe një makinë.

Pasi i tërhoq për vendim, Kolegji shtyu seancën për ti kërkuar informacion prokurorisë për këta shtetas dhe nëse ishte vënë në dijeni ish-prokurori në lidhje me këtë informacion.

Seanca e radhës u la për në 4 nëntor, ndërsa pas seancës prokurori vlerësoi KED dhe institucionin e Presidencës për besimin që shfaqën ndaj tij duke e zgjedhur dhe dekretuar.

Muçi: "Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Presidenti më vlerësuan me një pocizion kaq të rëndësishëm kushtetues, Ju jam mirënjohës. Për momentin jam duke vijuar me korrektesë procesin tim të apelimit në kuadër të procesit të vetingut. Është një proces që vazhdon, po vlerësohet çdo provë nga palët".

Besnik Muçi ka kandiduar dhe për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion ku është në listën me 15 kandidatë të KLP-së.


/Ora News.tv/