Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë për RTV Ora, tha se vendi duhet të ngrihet në standardet e vendosur nga Ramiz Alia pas pluralizmit politik. Sipas tij qeveria dhe opozita duhet të gjejnë pikën e përbashkët.

Beti Njuma: Dje gjatë samitit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklarua se nëse nuk hapen negociatat për Maqedoninë e Veriut, atëherë ai do të japë dorëheqjen. A është ky një standard që do duhej ta plotësonte, ta vendoste dhe kryeministri shqiptar?

Presidenti Meta: Për mua, duhet të ngrihemi të paktën në standardet që vendosi Ramiz Alia pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Pastaj, këto janë çështje të tjera për të marrë vendime më të forta si ky rast apo jo, por kjo nuk është çështje që më takon mua ta vlerësoj.

Për mua si President i vendit është e rëndësishme të dyja palët, si mazhoranca, e cila ka përgjegjësinë kryesore se ka qeverisjen e vendit dhe nuk qeveris vetëm për shumicën, por për gjithë qytetarët sepse taksapagues janë të gjithë qytetarët shqiptarë, janë edhe ata të cilët dalin në mitingjet e opozitës.

Por edhe nga ana tjetër, opozita të gjejnë pikat e përbashkëta të takimit për të forcuar bashkëjetesën demokratike në vend dhe kjo gjë nuk duhet bërë për shkak të raporteve personale, të cilat duhet të ishin më të mira, por për të respektuar qytetarët shqiptarë dhe këtë bashkëjetesë, që sidoqoftë ne e kemi arritur në 3 dekada dhe nuk kemi arsye që ta rrezikojmë.

Lexoni pjesën tjetër të intervistës së Presidentit Meta: Udhëheqësit e Kosovës të bashkëpunojnë edhe me Britaninë

/Ora News.tv/