Debati mes Presidentit të Republikës Ilir Meta  dhe kreut të KED-së Ardian Dvorani është finalizuar këtë të marte me depozitimin ne tre prokurori të kallëzimit ndaj kreut të KED-së nga presidenti. Madje kreu i shtetit ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve dhe audios të mbledhjeve në datat 21 shtator dhe 7 nëntor në KED.

Presidenti Ilir Meta ka firmosur këtë të martë kallëzimin penal kundër kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, padi të cilën e dorëzoi në tre prokurori, të Përgjithshëm, të Krimeve të Rënda dhe organin e akuzës së Tiranës.

Në dokument, Meta thotë se  Dvorani ka kryer veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe "përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore". 

Në kallëzimin e presidentit saktësohet se veprimet dhe mosveprimet e zotit Dvorani kanë krijuar një pasojë shumë të rëndë, që është cenimi i legjitimitetit të të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe kanë krijuar një debat të fortë publik që sjell pasoja të pariparueshme për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe uljen e besimit të publikut tek Gjykata Kushtetuese dhe implementimi i reformës në sistemin e drejtësisë.

Presidenti Ilir Meta e ka akuzuar Dvoranin si ushtar të partisë që në një akt mafioz siç ai është shprehur më herët publikisht, sulme që nisën gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti në bazë të listave me kandidatë të radhitur përmes një sistemi pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ai ka renditur ne dokument te gjithë praktiken e ndjekur që nga  shpallja për aplikim e deri në pikëzimin e kandidatëve.

Sipas Metës, nuk rezulton që KED-ja, të ketë marrë ndonjë vendim në mënyrë kolegjiale për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer vetëm në mënyrë individuale nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Madje është kërkuar që të sekuestrohen pamjet dhe videot e mbledhjeve të datës 21 shtator dhe 7 nëntor.

Presidenti i Republikës çmon se veprimet e z. Ardian Dvorani përmbushin në mënyrë kumulative të katër elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas Presidentit ai nuk ka përmbushur detyrimin për të zbardhur dhe administruar sipas ligjit procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit, si dhe për të bërë publik përmbledhjen e tyre sipas ligjit. Asnjë përmbledhje e procesverbaleve të mbledhjeve të zhvilluara përveç asaj të datës 15 janar 2019, nuk rezulton e publikuar.

Pas kësaj ka reaguar menjëherë Dvorani, i cili në një deklaratë për mediat thotë se do ti bindet urdhërimeve dhe kërkesave të organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën, si edhe ligjin e zbatueshëm lidhur me to, ashtu siç e bën pa zhurmë e bujë çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi.

LEXO EDHE: Opozita në një tryezë me Sorosin? Basha pranon ftesën e Metës për diskutim

Konkluzionet e Kallzimit Penal

Duke pasur parasysh faktet dhe grup faktet e renditura me sipër, ezkistencën e dyshimit të arsyeshëm bazuar në prova, lidhur me veprimtarinë kriminale, të Kryetarit në detyrë të KED-së arrij në konkluzionin se:

-Dërgimi njëkohësisht i dy listave nga i akuzuari Ardian Dvorani për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 8 tetor 2019 dhe dërgimi njëkohësisht i dy listave për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Kuvendit të Shqipërisë në datë 14 tetor 2019, në shkelje të hapur të radhës që dikton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 8577 date 10.02.2000, dhe të ligjit nr. 115/2016, janë veprime të ndërgjegjshme kriminale dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

-Gjithashtu edhe mos botimi i përmbledhjes së procesverbaleve të mbledhjes së KED-sëdhe mos marrja e masave për përmbushjen e kësaj detyre që i ngarkohet Kryetarit të KED-së, përvec se ka cënuar punën dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, përbën shkelje të hapur të dispozitave të ligjit nr. 115/2016 dhe akteve nënligjore të KED-së (Rregullores së Funksionimit të Këshillit) veprime kriminale këto që përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e figurës së vrepës penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

-Dërgimi i Vendimeve nr. 132, datë 21.09.2019 nga i akuzuari Ardian Dvorani për botim në Fletoren Zyrtare me qëllim krijimin e idesë së rreme në publik se znj. Arta Vorpsi ishte emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizimit zhbllokues, në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 226 e vijues te ligjit 115/2016, janë kriminale, të rrezikshme për rendin kushtetues, dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të përvetësimit të kompetencave të Presidentit të Republikës, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal dhe të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

-Presidenti i Republikës vlerëson ekzistencën e një rreziku real që i akuzuari Ardian Dvorani të kryejë sërish veprime kriminale dhe mafioze në shkelje të ngjashme të Kushtetutës dhe ligjit, që do të ndikonin drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e organeve te reja  kushtetuese.

-Në këto kushte i njohur me këto fakte, Presidenti i Republikës në mbështetje të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, referuar fakteve dhe grupfakteve të mësipërme dhe atyre që qartësohen edhe në dy dekretet e tij, paraqet këtë kallzim penal pranë organit të akuzës me qëllim vënien nën hetim penal të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

-Presidenti i Republikës, i rekomandon organit të akuzës, të sekuestrojë mënjëherë kopje të regjistrimeve nga sistemi i regjistrimit audio për të gjitha mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, prej të cilave do të zbulohen edhe fakte e të dhëna shtesë përtej atyre të parashtruara në këtë kallzim.  Me prioritet në punën tuaj është sekuestrimi i procesverbaleve audio të datave 21 shtator 2019 dhe 9 nëntor 2018 për evituar dëmtimin apo manipulimin e tyre të qëllimshëm.

Presidenti i Republikës, vlerëson se organi i akuzës duhet të përfshijë në listat e personave që mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin, kandidatët që kanë marrë pjesë në garë për këto 4 (katër) vakanca, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshilltarët dhe Sekretarinë pranë Gjykatës së Lartë që kanë shërbyer si ndihmësa dhe sekretar për çdo relator dhe KED-në, si dhe të gjithë të pranishmit në mbledhje në mënyrë që të zbardhet më mirë e gjithë  veprimtaria kriminale e shtetasit Ardian Dvorani, apo të dhëna shtesë që mund të evidentojnë vepra të tjera penale që mund të jenë kryer nga ky shtetas.



/Ora News.tv/