"Humbja e Nexhmije Pagarushës e pazëvendësueshme", mesazhe ngushëllimi

Të shumtë janë personalitetet të vendit në Kosovë dhe Shqipëri që kanë përcjellë mesazhet e ngushëllimit për humbjen e bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha.

Mes tyre janë dhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të cilët kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për familjarët e saj.

Ilir Meta: Me shumë dhimbje e hidhërim të thellë mora lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së këngës shqiptare, artistes sonë të madhe e të papërsëritshme, Nexhmije Pagarusha.
E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo.
Si artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë.
Unë isha fatlum ta njihja nga afër dhe të ndaja me të shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Ajo nuk ishte magjike, vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë.
Si një nga përfaqësueset më të mëdhaja të artit e muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë ne.


Hashim Thaçi: Nexhmije Pagarusha një ikone të papërsëritshme me dhunti dhe talent të pakufishëm

Hashim Thaçi: Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare.

Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar.

Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës! HTH

Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të artistes së madhe Nexhmije Pagarusha

Lulzim Basha: Me trishtim mësova ndarjen nga jeta të bilbilit të këngës shqiptare znj. Nexhmije Pagarusha.

Zëri i saj unik më ka shoqëruar që fëmijë, sepse Pagarusha është këngëtarja e preferuar e nënës time, ishte frymëzim dhe gëzim për të, ashtu si për shumë shqiptarë të tjerë në momente të lumtura dhe të vështira.

Prehu në paqe Zambaku i Shqiptarisë! Magjia, forca dhe ëmbëlsia e zërit tënd nuk do të shuhen kurrë!


EMISIONET