Presidendit Ilir Meta ka dënuar me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale dhe të dhunshme të disa punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj një të mituri, i cili sipas raportimeve paraprake po lëvizte jashtë orarit të lejuar për shkak të masave kufizuese të marra në kuadër të gjendjes së pandemisë.

Në një deklaratë për mediat, Meta thotë se  ky akt tepër i rëndë dhe i dënueshëm dëmton seriozisht imazhin e Policisë së Shtetit duke na kthyer pas në kohët e arbitraritetit.

Meta: Veçanërisht sjellja e çdo institucioni shtetëror përkundrejt të miturve në këto kohë të vështira duhet të garantojë ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë dhe respektimin e masave kufizuese, dhe jo ushtrimin e forcës policore.

Në respekt të sensibilitetit të madh shoqëror që ka shkaktuar me të drejtë kjo ngjarje, Meta apelon zbardhjen e menjëhershme dhe me transparencë të saj dhe nxjerrjen pa zvarritje të mëtejshme të përgjegjësive ligjore.

Presidenti Meta i bën thirrje Policisë së Shtetit që gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe misionit të saj, si dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo autoritet.

Më herët policia njoftoi se është pezulluar nga detyra punonjësi i policisë G.N, që dhunoi të miturin të kodrat e liqenit artificial.

"Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet punonjës policie, i cili ka kryer shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë G.N, pranë Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2." - njofton policia.

Pritet që Drejtoria e Standardeve Profesionale do grumbulloje të gjitha provat dhe në fund të hetimit jepet masa disiplinore sipas shkallës së shkeljes.

Veprimet e të gjithë policëve po analizohen nga drejtoria e standardeve profesionale.

Gjithashtu, Policia e Shtetit ka ndëshkuar me masë administrative sipas Aktit Normativ, 2 te rinjtë që u konstatuan se kishin thyer orarin e ndalim-qarkullimit dhe kishin dalë për shëtitje me biçiklete, në shkelje të masave për parandalimin e pandemisë COVID-19.

/Ora News.tv/