Programi i Rindërtimit në zonat e prekura nga termeti, do të ndjeket nga një Ministri e Posaçme. Në këtë pozicion, kryeministri  Edi  Rama, ka propozuar ish- Ministrin e Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj. Nuk ka vonuar dhe Presidenti Ilir Meta, siç edhe njoftoi e dekretoi menjëherë emrin e Arben Ahmetajt si Ministër të Shtetit për Rindërtim. Ndërsa më herët kryetari i opozitës Lulzim Basha, këmbënguli në propozimin prej 5 pikash për lehtësira fiskale për biznesin.  

Qeveria shqiptare ka ngritur një Ministri të veçantë për rindërtimin e  zonave të prekura nga termeti. Në krye të këtij dikasteri do të jetë Arben Ahmetaj, ndërsa  kryeministri  Edi Rama,  thotë se kjo është e nevojshme për faktin se kërkohet koordinimin për programin e rindërtimit  dhe të ndjekë orë e minutë zbatimin e tij.

Rama: Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave,ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program,të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit.

Nuk ka vonuar, dhe Presidenti Ilir Meta, siç edhe njoftoi e dekretoi menjëherë emrin e Arben Ahmetajt si Ministër të Shtetit për Rindërtim.

Më herët nga qyteti i Durrësit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ripërsëriti planin me 5 pika  që siç tha ai ofron lehtësi fiskale për biznesin, sipas përvojës së ndjekur nga Italia në situatë të njëjtë pas tërmetit në Aqulia.

Basha: Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete. Prandaj kemi propozuar ato 5 masa:

1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.

2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,

3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.

5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve.

Këto pesë pika i japin mundësi biznesit ta mbajë kokën mbi ujë.

Basha tha vuri në dukje se nëse kjo paketë lehtësuese nuk zbatohet nga qeveria,  biznesi do të vuajë pasoja të rënda.

 

/Ora News.tv/