Bankat nuk kreditojnë, Meta:Sistemi gjyqësor me rëndësi për rritjen e efektivitetit

Bankat nuk kreditojnë, Meta:Sistemi gjyqësor me rëndësi

Presidenti, Ilir Meta, i ka kërkuar bankave të nivelit të dytë më shumë mbështetje për ekonominë. Sipas Kreut të Shtetit, në kreditimin e dobët ka ndikuar mungesa e sistemit të drejtësisë dhe shteti i së drejtës. Ndërkohë që guvernatori, Gent Sejko, vuri theksin në reformat që nevojiten për rritjen ekonomike. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Ministrja e Financave, e cila ka vënë theksin në luftën anti-informalitet.

Presidenti, Ilir Meta, ka qenë kritike me Bankat e Nivelit të Dytë në lidhje me kreditimin e ekonomisë.

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e BSH, Presidenti Meta theksoi se i rëndësishëm është sistemi gjyqësor dhe shteti i së drejtës për të rritur efektivitetin e bankave në Shqipëri.

Meta: Mbetet shqetësim se bankat në Shqipëri kanë efektivitet shumë të ulët në ekonomi. Ato japin kredi në përqindje shumë të ulët nga depozitat që disponojnë.

Duke iu referuar vlerësimit të tyre nga BQE, vërehet se gjatë  10 viteve të fundit Shqipëria ka raportin më të ulët të kredisë ndaj depozitave dhe raportin më të ulët të arkëtuar të sistemit bankar ndaj PPB.

Sipas BQE një nga arsyet pse bankat kanë frenuar kreditimin në Shqipëri lidhet me dobësitë e sundimit të ligjit. Për këtë arsye një kthim dhe forcim në shinat e ligjshmërisë dhe funksionim të shtetit të së drejtës për funksionimin e plotë të gjyqësorit si dhe lufta ndaj korrupsionit do të sillte ndikim të mirë jo vetëm ndaj vendit, por edhe në efikasitetin e drejtpërdrejtë bankar mbi ekonominë shqiptare.

Guvernatori Gent Sejko vuri theksin në nevojën erealizimit të reformave për rritjen ekononike.

Gent Sejko: Së dyti, rritja ekonomike afatgjatë duhet ankoruar në reforma strukturore të vazhdueshme. Autoritetet publike e kanë të pamundur – e ndoshta të paarritshme – të parashikojnë apo të shmangin plotësisht goditjet.

Ministrja e Financave deklaroi se po vijon lufta ndaj informalitetit që ka ndërmarrë kjo ministri.

Anila Denaj: Rritja e konkurrueshmërisë së biznesit të mesëm në Shqipëri është po aq e rëndësishme, formalizimi i ekonomisë është po aq i rëndësishëm dhe aksesi në finance vjen si një element i domosdoshëm për ta bërë këtë rritje të qëndrueshme në terma afatmesëm.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm personalitete dhe njohës të ekonomisë, ndërsa fokusi i kësaj konference ishte rëndësia që sistemi financiar ka për zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit dhe për procesin integrues të tyre në shoqërinë evropiane.


EMISIONET