Një ditë para votimeve të 30 qershorit, kreu i shtetit, Ilir Meta i është drejtuar me një mesazh qytetarëve shqiptarë, duke bërë thirrje për qetësi.

Në një status në Facebook, Presidenti kërkon të respektohet vendimi i gjithësecilit për të votuar.

“Të dashur qytetarë, Përsëris thirrjen time për të respektuar në mënyrë civile dhe demokratike vendimin e gjithësecilit gjatë ditës së nesërme. Sërish ju ftoj të gjithëve të silleni me qetësi dhe mençuri! Është shumë e rëndësishme vetëpërmbajtja e gjithësecilit”, shkruan kreu i shtetit.

Meta thotë se ka rëndësi paqja sociale, ndërsa kërkon shmangien e provokimeve që çojnë drejt dhunës.

“E theksoj edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshmë që ka nesër ruajtja e paqes sociale.Të gjithë duhet t'i shërbejmë asaj dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë. Shmangni provokimet që mund t'ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cënojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë”, shprehet Presidenti.

/Ora News.tv/