Presidenti Ilir Meta ka komentuar nga ShBA ligjin anti-KÇK. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Meta thotë se qeveria mund të krijojë në vjimësi task-forca për të luftuar krimin e organizuar, por kur bëhen ndryshime ligjore ato duhet të jenë të mirëmenduara.

Ilir Meta: Kjo nuk është një luftë që zhvillohet me fushata, por zhvillohet çdo ditë duke forcuar kulturën e shtetit ligjor dhe ndëshkueshmërisë së të gjithë atyre që rezultojnë të implikuar në këtë fenomene, por dhe në të gjithë strukturat shtetërore në mbrojtje të këtyre fenomeneve. I gjithë legjislacioni ka qenë aty, institucionet kanë qenë aty, askush nuk e pengon qeverinë të ngrejë task-forca, por kur bëhen ndryshime në legjislacion duhet të jenë të mirëmenduara, transparemnte dhe të besueshme dhe të mos krijojnë kontestime dhe mbivendosje të karakterit ligjor dhe institucional sepse në një plan afatgjatë këto nuk i shërbejnë forcimit të sundimit të ligjit.

I pyetur se çfarë mund të bëhet për shkëputjen e lidhjeve të politikanëve me krimin, Meta ka këtë përgjigje:

Ilir Meta: Ajo që mund të bëhet është shembulli i të gjitha politikanëve nga presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit në respektimin e Kushtetutës, të ligjit, mosndërhyrjen në drejtësi dhe çdo përpjekje që rrezikon të shtyjë në periferi apo vërë në trysni institucionet e reja të drejtësisë që janë krijuar me mjaft vështirësi nuk i shërben forcimit as të besueshmërisë së tyre dhe as forcimit të shtetit ligjor. Të gjithë duhet të reflektojmë që të vendosim besimin te institucionet, politikanët të parët.

/Ora News.tv/