Në intervistën ekskluzive për emisionin “Tempora” në RTV Ora, presidenti i Republikës Ilir Meta i ka quajtur banalitete pretendimet e mazhorancës se deklarata e zv.ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, 3 ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit “shkarkoi” nga detyra Presidentin.

Ndërsa citoi se me vajtjen në zyrën kryeministrore kur ishte vetëm 30 vjeç, një ambasador, emrin e të cilit nuk e ka zbuluar, i kishte thnë se pritej firmosja e një marrëveshje për një aferë Telekomi.

Ndërsa Meta ia kishte kthyer “zotëri kjo gjë nuk bëhet për arsye sepse cenon interesin publik të Shqipërisë dhe nuk mund t’i falim ne një kompanie off-shoreTelekomin tonë”.

Pjesë nga intervista: 

Sonila Meço: A nuk ndjeheni që jeni i padëgjuar nga komuniteti ndërkombëtar? 

Presidenti Meta: Nuk ka problem, unë ata i kam dëgjuar me shumë....

Sonila Meço: ...Madje ka një pretendim nga mazhoranca që zoti Palmer në deklaratën e fundit që bëri vetëm 3 ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit ju ka “shkarkuar” si President...

Presidenti Meta: Së pari, më vjen shumë keq për këto banalitete. Këto më mirë se të gjithë i di vetë ai që i shpërndan. Që Ilir Meta edhe ditën e parë kur kam hyrë në zyrë si Kryeministër, isha në moshë të re, vetëm 30 vjeç, kur më ka ardhur një ambasador dhe më ka thënë “të lutem se po presim të firmoset kjo marrëveshjapër një aferë Telekomi”. I kam thënë “zotëri kjo gjë nuk bëhet për arsye sepse cenon interesin publik të Shqipërisë dhe nuk mund t’i falim ne një kompanie off-shoreTelekomin tonë”.

Mund të pyesni Anasatas Angjelin se ka qenë ministër asokohe, e di edhe zoti Rama atë punë. Dhe kam bërë shumë mirë se kam mbrojtur edhe marrëdhëniet e vendit tonë me këtë vend dhe me institucionet financiare që ishin shumë të shqetësuara se mos një gjë e tillë realizohej, që do të thoshte një humbje shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, por edhe për besueshmërinë që Shqipëria është një vend serioz që i bënë gjërat me ligje, që i bën gjërat me transparencë, etj. 

Sepse ti nuk mund t’i kërkosh parà Bankës Botërore, t’i kërkosh para FMN-së dhe pasuritë e vendit tënd t’i falësh “X” kompanie dhe kompanisë tjetër. Kështu që unë jam mësuar prej kohësh me këto çështje dhe me këto histori, nuk pres të më mësojë asnjë diplomat amerikan apo europian se si të mbroj idealet euro-amerikane për liri, për drejtësi, për sundim të ligjit në vendin tim.

Sonila Meço:  Ata janë partnerët tanë strategjikë...

Presidenti Meta:Partnerët tanë strategjikë i kemi në zemër, siç në zemër të NATO-s është demokracia dhe këtë ne Amerika na e ka mësuar.


/Ora News.tv/