Presidenti i Republikës, Ilir Meta  ka bërë akuza mjaft të forta në adresë të Kuvendit të Shqipërisë.

Në një intervistënë emisionin për “Kojshia Show” në RTV21, Kreu i Shtetit ka deklaruar se parlamenti përdoret thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë. 

Presidenti Meta: Situata në Shqipëri është rezultat i përjashtimit të qytetarëve nga mundësia për të ndikuar dhe për të thënë fjalën e tyre në qeverisjen e vendit, si në nivel qendror, si në nivel vendor.

Rrënjët e kësaj krize që ka ndodhur apo që ka kulmuar kohët e fundit në Shqipëri, gjenden në ndryshimet e befasishme të Kushtetutës së Shqipërisë në vitin 2008, kur u ndryshua dhe sistemi zgjedhor dhe u vendos sistemi me listat e mbyllura, që praktikisht e ktheu vendin nga një Republikë parlamentare, në një Republikë kryetarësh, si dhe asgjësoi lidhjen e deputetëve me qytetarët dhe mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur apo për të përkrahur atë deputet, te të cilët ata kishin besim që do të mbronin të drejtat e tyre.

Praktikisht gjatë këtyre 11 vjetëve demokracia në Shqipëri ka ardhur duke degraduar dhe kjo është vënë re te parlamenti, te të gjithë institucionet e tjera dhe mbi të gjitha te mënyra se si realizohet vendimmarrja e qeverisë dhe së fundi se si parlamenti përdoret thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë.

Pra, bëhen ligje për persona të veçantë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, në kundërshtim me konkurrencën, në kundërshtim me parimet e mosdiskriminimit, që është një parim kushtetues e kështu me radhë.

/Ora News.tv/