Qeveria i ka kaluar me akte normative të gjitha vendimet  për kufizimin e lëvizjes së mjeteve dhe qytetarëve si  masë parandaluese ndaj COVID 19, duke shmangur kështu Kuvendin.

Por Presidenti Ilir Meta në një intervistë për "Tempora" në Rtv Ora  vlerëson se Shqipëria është në gjendje normale kushtetuese dhe në momentin e duhur parlamenti do të përmbushë detyrimet e tij.

Ilir Meta: Shqipëria është në gjendje normale kushtetuese sa i takon anormalitetit të vetë situatës në të cilën jemi që është parashikuar gjithashtu në Kushtetutën e Shqipërisë pas vendosjes së shpalljes së situatës së fatkeqësisë nga ana e qeverisë. Të gjithë duhet të jemi realistë, qytetarët e kanë respektuar kërkesën për kufizim të lëvizjes, për të respektuar distancat sociale sepse e kuptojnë që kjo është mënyra më e mirë për momentin. Besoj se parlamenti në kohën e duhur do të përmbushë detyrimet e tij. Me rëndësi në këtë situatë që është që të jemi sa më transparent në menaxhimin e kësaj krize.

Por ajo që kërkon Presidenti, është që kostoja e kësaj krize të krijuar për shkak të pandemisë të ndahet në mënyrë të ndershme dhe të ndihmohen ata që janë goditur më shumë prej saj.

Jemi në situatë lufte, tha Meta, ndaj dhe buxheti dhe aktiviteti ekonomik duhen rikonceptuar në përballimin sa më të mirë të pasoja të kësaj lufte.

Ilir Meta: Askush nuk pret mrekullira nga kjo situatë kufizimesh. Respektimi i ligjit dhe ligjshërisë është një detyrim në çdo kohë dhe rrethanë. Kushtetuta i ka parashikuar edhe situata të tilla si duhet të menaxhohen, si duhen mbrojtur dhe interesat e shtetit, të qytetarëve dhe cilat janë detyrimet e shtetit karshi qytetarëve që dëmtohen nga një situatë e tillë. Ajo që duhet më shumë është për të qenë më konkretë, më  transparentë, për të detajuar më shumë angazhimet dhe detyrimet e qeverisë dhe shtetit karshi qytetarëve. Janë qytetarët ata që mbajnë qeverinë, shtetin dhe presidentin dhe nuk është e kundërta.Është me rëndësi të jemi të drejtë, ta ndajmë koston e kësaj krize në mënyrë të ndershme dhe tu jemi më pranë atyre që kanë humbur apo humbasin vendet e punës për shkak se biznesi ka qenë i detyruar për mos paguar.Këtu është roli i qeverisë për të lehtësuar përballimin e situatës për ata që goditen më shumë. Jemi në situatë lufte por buxheti dhe aktiviteti ekonomik duhet rikonceptuar në përballimin sa më të mirë të pasoja të kësaj lufte.



/Ora News.tv/