Çdo mëngjes, presidenti Ilir Meta është kthyer në orën e zgjimit për Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Nga njëra anë Kryeministri nuk e njeh 13 tetorin, ndërsa në kampin opozitar kreu i PD ka refuzuar të regjistrohet në zgjedhjet e vjeshtës të dekretuara nga Kreu i Shtetit. Meta nëpërmjet një statusi në facebook i kujton Bashës se po shkon në një rrugë qorre, pasi pa zgjedhje nuk ka zgjidhje.

Për Presidentin Ilir Meta nuk ka pushime. Aktualiteti politik ka qenë në fokus edhe të postimit të sotëm të tij në faqen zyrtare në facebook.

Kreu i Shtetit nënvizon se e vetmja zgjidhje për krizën politike në vend janë zgjedhjet.

E teksa në limitet e afateve një ditë më parë  të vetmet që u regjistruan në KQZ për zgjedhjet lokale të 13 tetorit ishin Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambjentaliste, Presidenti ka edhe një mesazh për kreun e PD-së Basha, i cili nuk u regjistrua për zgjedhjet dhe vazhdon të insistojë se zgjidhja e krizës kalon nga prangat për politikanët hajdutë.

"Pa zgjedhje nuk ka demokraci. Pa demokraci nuk ka drejtësi të pavarur. Pa të dyja së bashku nuk ka të drejta dhe ekonomi për të gjithë shqiptarët. Dhe as ndëshkim për politikanët" thotë Meta.

Presidenti shton se moszgjidhja i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi ka për të humbur gradualisht pushtetin e paligjshëm politik, ekonomik dhe mediatik.

"18 tetori po afron" kujton Meta.

/Ora News.tv/