Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Presidenti i Republikës u është drejtuar shqiptarëve me mesazhe të forta.

Duke e shoqëruar edhe me një foto nga takimi i studentëve në vitin 1990 me ish-presidentin Ramiz Alia, ku i pranishëm ishte edhe vetë kreu i Shtetit dhe heroi i demokracisë Azem Hajdari, Meta thotë se sot janë përçudnuar parimet dhe vlerat e demokracisë, e drejta e çdo qytetari për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur.

Meta: Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor '90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri.

Kreu i Shtetit sheh si rrezik fenomenin e përhapur të dhënies së veprave publike me Partneritet Publik Privat.

Meta: Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.

Ndaj Presidenti u bën thirrje shqiptarëve të shpëtojnë së bashku demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime.

Meta: Koha nuk pret! T'ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe! Zgjidhja nuk është tërheqja dhe justifikimet foshnjore, por përballja me të keqen dhe ligësinë! O SOT O KURRË!

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se demokracia liberale është forma kryesore e demokracisë në kohën e sotme.

Sipas tij, Kushtetuta është garanti i demokracisë dhe Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur deri në fund dhe pa asnjë kompromis për mbrojtjen e Kushtetutës.

/Ora News.tv/