Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dalë me një mesazh drejtuar qytetarëve, nisur nga situata e krijuar me koronavirusin.

Duke e vënë theksin tek efektet negative në ekonomi, Meta tha se kjo pandemi do të shkaktojë një frenim të rritjes ekonomike dhe humbje serioze në mënyrë të veçantë në sektorin e fasonëve, turizmit, shërbimeve dhe biznesit të vogël.

“Të dashur qytetarë, Vendi sot po përballet me një ngadalësim kritik të aktivitetit ekonomik, si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të coronavirusit.

Kjo do të shkaktojë një frenim të rritjes ekonomike dhe humbje serioze në mënyrë të veçantë në sektorin e fasonëve, turizmit, shërbimeve dhe biznesit të vogël”, është shprehur kreu i shtetit.

Prioritet tha kreu i shtetit është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe mbështetja me fondet e domosdoshme për sektorin e shëndetësisë, si aktori kryesor në përballjen me pandeminë.

“Por pasojat në ekonomi do të jenë objektivisht të pashmangshme, siç paralajmëron FMN dhe aktorët kryesorë të ekonomisë tonë. Duhet të bëhet gjithçka për të përballuar skenarët e ndryshëm të ecurisë së kësaj pandemie nga ana mjekësore. Por është jetike të punohet çdo ditë edhe për përballimin e skenarëve të ndryshëm të pasojave serioze në ekonominë kombëtare dhe jetën e çdo familjeje shqiptare, në veçanti të atyre më në nevojë”, është shprehur Presidenti Meta.

/Ora News.tv/