Rritet tensioni dhe ashpërsohen tonet mes dy institucioneve më të larta të shtetit, Presidencës dhe kryeministrisë pas refuzimit të dekretimit të Gent Cakajt si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. 

Në ora 09:22 minuta përmes një postimi në facebook presidenti Meta e quajti gabim fatal kërcënimin që i është bërë nga personi i cili ka kërcënuar siç thotë kreu i shtetit edhe komisar Zaganin, mediat, pronarët e mediave, profesorë e nënkomisarë.

 "Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë."

Meta e mbyll postimin e tij në facebook duke nënvizuar:  Nuk ka fuqi në botë t'i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!"

Ora 09:49  Nuk kaluan disa minuta dhe erdhi dhe reagimi po përmes rrjeteve sociale i kryeministrit Rama. Përveç ironisë kreu i qeverisë la të kuptohet se mes tyre ka pasur, një komunikim ose takim, ku nga sa kuptohet nga postimi në twitter, ky i fundit i ka komunikuar prova të reja si përgjigje ndaj argumenteve që Meta i dërgoi dje bashkangjitur dhe me refuzimin e dekretit.   

"Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj eshte ne ate fazen kur i ben thirrje popullit per te marre armet, ngaqe s'di si te dale nga gropa qe i hap vetes! I çova provat e mekatit ndaj Gentit dhe vuan tani" shkruan Rama ne Twitter

Dje, 10 janar 2019,  presidenti Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Kjo nxiti dhe përplasjen publike indirekte, përmes rrjeteve sociale  mes Presidentit dhe kryeministrit. Ndërkohë mësohet se mes tyre një ditë para refuzimit (pra 9 janar) ka pasur dhe një takim.

Mësohet se gjatë këtij takimi Presidenti Ilir Meta i ka shprehur kundërshtinë Ramës  për kandidaturën e Gent Cakajt, në postin e Ministrit të Jashtëm. Sipas burimeve të Ora News, mësohet se Meta i ka propozuar Ramës që postin e ministrit të Jashtëm ta marrë vetë dhe Cakajn ta bëjë ministër kulture.

E ndërkohë presidenti Meta nuk ka firmosur ende shkarkimin e ministrit aktual Ditmir Bushati, i cili për pasojë vijon të mbetet zyrtarisht në detyrë.

Dje përmes një postimi në Twitter, me tone të ashpra Rama iu drejtua presidentit duke e quajtur vendimin  “jo vetëm antikushtetues, po edhe të turpshëm."  "Argumentat e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin”, shkruante dje Rama në twitter





/Ora News.tv/