Mungesë besimi e ka cilësuar presidenti Ilir Meta ngërçin e reformës zgjedhore. Në konferencën e përjavshme për mediat, kreu i Shtetit pranoi se ka pasur një bisedë me kreun e PD-së Lulzim Basha, ndërsa pas kësaj ka pritur në takim ambasadoren Yuri Kim. Pas kësaj Meta e la sërish topin në selinë e PD, duke pritur përgjigjen për marrëveshjen në kodin elektoral.

Tirane- Ndërsa ndërkombëtarët dhe mazhoranca prej shumë orësh po presin një vendim nga kryetari i PD-së,  Lulzim Basha, nëse do të firmosë apo jo dokumentin e përpiluar në rezidencën amerikane, ditën e premte (5 qershorit 2020) reforma zgjedhore është zhvendosur në zyrën e Presidentit Ilir Meta.

Në orët e para të paradites kreu i selisë blu ka telefonuar Kreun e Shtetit, ku në qendër të këtij komunikimi ka qenë pikërisht ngërçi i negociatave.

Ilir Meta: Kam pasur një telefonatë zyrtare me zotin Basha këtë paradite e kërkuar prej tij. Kaq mund të them. Mesazhi im është: Jepuni shqiptarëve atë të drejtë që u takon që ua keni detyrim të gjithë që të keni besim te zgjedhjet, te demokracia, mos i intimidoni më as me arrogancë dhe as me hezitime. Të gjithë duhet të tregojnë besim te demokracia dhe ajo fillon te vota dhe zgjedhjet e lira. Qëndrimin tim për sistemin e dini që nga 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuese.

Takimi me Yuri Kim me dëshmitarë- Pas telefonatës së liderit të opozitës së bashkuar, në zyrën e Kreut të Shtetit ka mbërritur ambasadorja amerikane, por tashmë jo më në një takim kokë më kokë, por me dëshmitarë për rreth 90 minuta.

Pasi është njohur edhe me qëndrimin e SHBA, e cila është edhe arbitrja në bisedimet mes PS dhe PD, Ilir Meta me tone të qeta, topin e la sërish në fushën e Lulzim Bashës.

Ilir Meta: Mesazhi im për opozitën ka qenë ky: Gjithçka për konsensus. Mesazhi im për opozitën që kur u shkatërrua në mënyrë të paligjshme Teatri ka qenë: Mos bini pre e provokimit të radhës për tu larguar nga tryeza e reformës. Mesazhi tjetër ka qenë, mos paraqitni listë dëshirash por qëndroni qartë tek ato elementë bazikë për të cilat do të keni përkrahjen e partnerëve ndëkombëtarë dhe në mënyrë të veçantë të atyre të cilët janë mjaft të shqetësuar për problemnet e zgjedhjeve dhe legjitimitetit të institucioneve në Shqipëri dhe që kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë në mënyrë që Shqipëria të marrë një vrull të ri drejt BE. 

Presidenti tregon se ngërçi ka mbetur në nivel politik dhe jo teknik.

Ilir Meta:  Është e rëndësishme që të gjithë të tregojnë vullnet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mos intimidojnë qytetarët shqiptarë as me arrogancën e tyre dhe as me hezitimet e tyre.

Kreu i Shtetit nuk shqetësohet për faktin që palët nuk zgjodhën Ilir Metën si negociator, por Ambasadoren Yuri Kim.

Ilir Meta: Është në vullnetin e dy palëve për të zhvilluar bisedimet ku e çmojnë të arsyeshme. Për mua e rëndësishme si President është që në fund të ketë "tym të bardhë".

Reforma zgjedhore ka mbetur pezull për shkak të mosdakordësisë për emërimet në komisionet e votimit dhe të numërimit.

Partia Demokratike kërkon që pjesë e shortit të jenë edhe qytetarë vullnetarë, ndërsa për PS kjo mund të rrezikojë procesin.

Ndërsa përsa i përket dështimit të mundshëm të teknologjisë, opozita kërkon që në komisione përfaqësuesit politik të jenë vendimarrës, por PS nuk tërhiqet nga depolitizimi.

Lexo me shume: Meta vlerëson tranzicionin paqësor të qeverisë, përshëndetje dhe falenderime për Kurtin nga Tirana

Vetoja e opozitës për zgjedhoren? Ironia e Metës: Asnjë dyshim, supermazhoranca i ka votat

Ç'i duhet BE me zgjedhjet në Shqipëri? Meta thumbon Ramën: Ambasadorët më mirë të denoncojnë sesa të heshtin

Meta: Kur u formua LSI, në zgjedhje nuk e kam vendosur emrin tim në listën e proporcionalit

"Diskutim i platformës me 14 pika me Yuri Kim", Meta: SHBA mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë

A është presidenti aktor në reformën zgjedhore? Përgjigjet presidenti Meta




/Ora News.tv/