Presidenti Ilir Meta i lodhur nga sjellja e Kryeministrit, kryetarit të PD dhe kryetares së LSI, ka kërkuar që të marrin përgjegjësitë e tyrë dhe jo të japin shfaqje teatrale politike. 

Gjatë fjalës së tij në Durrës, paraditen e sotme kreu i shtetit nuk i ka kursyer Ramën, Bashen dhe Kryemadhin duke ju kërkuar që të mos kërcënojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë, por të pranojnë 13 tetorin duke i rikthyer qytetarëve qetësinë e nevojshme.

Ilir Meta: "Ajo që na shqetëson është ky teatri i madh, politik absurd i cili kërcënon që Shqipëria të dërrmojë çdo mundësi për të çeluar negociatat më 17-18 tetor. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve në mënyrë të veçantë të tre artistëve t'i japin fund këtij absurdi. Të marrin masa për 13 tetor, sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe që garanton llogaridhënie.

Sigurisht që 13 tetori dhe zgjedhjet më 13 tetor për zgjedhjet vendore nuk besoj se zgjidhin gjithcka por ky është detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm. Në radhë të parë është detyrim për kryeministrin, që të heqë dorë nga presionet dhe shantazhat ndaj të gjithë institucioneve të tjera duke penguar zbatimin e këtij dekreti dhe padyshim është përgjegjësi e të tjerëve të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit." 

Moment historik

Mesa duket Ilir Meta nuk është dorëzuar për të ulur në dialog 3-shen politike të cilët sipas tij janë shkaktarë të një situate të padenjë për imazhin e Shqipërisë.

Ilir Meta: Meta tha se: "Por kështu sot kam formalizuar edhe një letër drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të OSBE që vizitoi dje Tiranën por edhe kryetarit të radhës së OSBE, ministrit të Jashtëm të Sllovakisë dhe presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, meqë Shqipëria përgatitet për të marrë kryesimin e OSBE vitin e ardhshëm. Dhe ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për të negociuar me të dyja palët këtu për arritjen e një zgjidhje sa më të shpejtë në ditët që vijnë, pasi nuk kemi kohë jo vetëm për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj situate aspak të favorshme për gjithë qytetarët tanë por edhe të padenjë për një vend, i cili duhet të jetë një shembull në kryesimin e BE për çështjet e zgjedhjeve, të funksionimit të institucioneve  demokratike dhe të kontribuojë në rritjen e sigurisë në të gjithë hapësirën e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme."

Kreu i Shtetit në fund të fjalës së tij u shpreh se Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë paralele, në atë të kapjes së institutucione dhe atë të deligjitimitetit, po ka nevojë për një rrugë të përbashët europiane..

"Kam insistuar prej shumë kohësh për një dialog të qëndrueshëm politik jo për diversion, jo për demagogji se ky lloj dialogu nuk i duhet Shqipërisë por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët në mënyrë që të rivendoset normaliteti i funksionimit të institucioneve, demokracisë në vend dhe njëkohësisht që të funksionojë kontrolli dhe balanca midis pushteteve të ndryshme dhe mbi të gjitha llogaridhënia. Sot kemi një Parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka. Sot kemi një situatë jashtëzakonisht kaotike në të gjitha drejtimet. Kjo është përgjegjësi e palëve politike në vend. Asnjë nuk mund të shfajësohet sepse edhe opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të parandaluar me propozime me komb në tokë dhe të përgjegjshme shumë nga këto marrëzitë që kanë ndodhur në drejtim të përparimit të skenarit të qartë të kapjes së gjithë institucioneve në vend."

"Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk mund të takohen me njëra-tjetrën të paktën hapur ose publikisht dhe në interes të qyetarëve shqiptarë që janë rruga e kapjes së institucioneve nga njëra ana në mënyrë tërësisht jodemokratike dhe rruga tjetër ajo e delegjitimimit të gjithë institucioneve. Ne jemi një vend dhe kemi nevojë për një rrugë të përbashkët që është ajo e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian që është vullnet i gjithë qytetarëve shqiptarë dhe duhet që dy palët të tregojnë përgjegjësi të mos e cenojmë më tej këtë vullnet,"-shtoi Meta.


/Ora News.tv/