Merr fund epoka renziane, vëllai i aktorit të famshëm merr drejtimin e PD-së në Itali

Partia Demokratike në Itali zhvilloi të dielën zgjedhjet për kryetarin e ri pas dorëheqjes nga ky post të ish-kryeministrit Matteo Renzi, motivuar nga humbja e thellë në zgjedhjet politike të 2018.

Kryetari i ri i Partisë Demokratike Italiane është zgjedhur 53 vjeçari, Nicola Zingaretti, aktualisht President i rajonit të Lazios.

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve europiane të majit 2019, merr fund kështu epoka renziane e Partisë Demokratike italiane.

Lideri i ri i PD ia ka dedikuar fitoren e tij vogëlushes suedeze Greta Thunberg, aktiviste ambientale për shpëtimin e planetit, si dhe 5 milionë të varfërve italianë, të papunë e të rinj në vështirësi.

Nicola Zingaretti kërkon t'i japë një imazh të ri Partisë Demokratike italiane, duke shtuar rradhët e saj me të gjitha ata që mbetën të zhgënjyer nga zgjedhjet politike të 4 marsit.

"Do bëj gjithçka që të jem në lartësinë e këtij posti dhe që t'ia arrish kësaj duhet të dish të dëgjosh njerëzit e të dish të marrësh vendime. Nis një fazë e re e PD që duhet të jap sinjale të qarta për të shtuar rradhët e saj", ka deklaruar ai menjëherë pas rezultateve të votimit.

I lindur në Romë, Nicola Zingaretti ka nisur karrierën e tij politike në mes të viteve '80 me lëvizjen politike "Antimafia sociale", duke kaluar me pas në rradhët e PDS.

Më 1985-1989 zgjidhet këshilltar komunal për Romën i Federatës së Rinisë Komuniste Italiane.

Në 2004 zgjidhet europarlamentar në listën e të majtëve italianë dhe  ishte kryetar i delegacionit italian në Partisë Socialiste Europiane.

Më 2008 është kandidat i qëndrës së majtë për postin e Presidentit të rajonit të Lazios.

Më 2013 zgjidhet Guvernator i rajonit të Lazios e me 2018 është i pari Guvernator i Lazios që rizgjidhet përsëri në këtë post.

Nicola Zingaretti është i martuar dhe ka dy fëmijë.  Ai është vëllai i aktorit të njohur, Luca Zingaretti.



EMISIONET