Merkel fillon vizitën në Kinë

Merkel fillon vizitën në Kinë

Në sfondin e luftës tregtare ShBA-Kinë dhe të protestave për demokraci në Hong Kong, kancelarja gjermane Angela Merkel filloi të premten vizitën e saj të 12-të shtetërore në Kinë. Ajo u prit me një ceremoni të posaçme nga kryeministri kinez Li Keqiang në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin.

Kancelarja shoqërohet nga një delegacion i madh krerësh biznesi. Mereli do të zhvillojë takime me udhëheqësit kryesorë të Kinës ndërsa pritet të vizitojë edhe Wuhan-in, një qendër e madhe e transportit në Kinën Qendrore ku kanë selinë kompanitë e mëdha të teknologjisë. Vizita ofron një shans të rëndësishëm për të dy palët për të forcuar bashkëpunimin në fushën e prodhimit të automjeteve, prodhimit inteligjent dhe inteligjencës artificiale.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë, tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Gjermanisë arriti afro 200 miliardë euro në vitin 2018, duke e bërë Kinën partneren më të rëndësishme tregtare të Gjermanisë për të tretin vit radhazi.

Gjatë të njëjtit vit, Gjermania eksportoi mallra me vlerë prej 93.1 miliardë euro në Kinë, duke e bërë Kinën blerësin e tretë më të madhe të produkteve gjermane.

Sipas ekonomistëve, Gjermania ndodhet në fillim të një recesioni, ndaj frika për një rënie ekonomike mund të nxisë përpjekjet e Berlinit për marrëdhënie më të mira tregtare me Kinën.

EMISIONET