Presidenti Ilir Meta mori pjesë në çeljen e sezonit turistik të Bashkisë Gjirokastër, nga ku kërkoi më shumë vëmendje dhe bashkëpunim për të ruajtur vlerat dhe trashgiminë e vyer në qytetin e gurtë. Kreu i Shtetit dekoroi edhe doktorin e njohur Vasil Labovit, pas vdekjes.

Akti simbolik i vendosjes së luleve në dritare nga kryebashkiakja Zamira Rami dhe presidentit Ilir Meta çeli zyrtarisht sezonin turistik në Gjirokastër.

Veshjet karakteristike, sazet, isopolifonia dhe kuliniaria i dhanë më shumë bukuri zonës muzeale të qytetit të gurtë ku u zhvilluan aktivitetet.

Gjirokastra është një prej qyteteve të veçanta për infrastrukturën dhe historinë që përfaqëson.

Por përpos saj, presidenti Meta kërkoi më shumë vëmendje dhe bashkëpunim për qytetin, mesazh ky që siç duket shkoi për qeverisjen vendore dhe atë qëndrore.

Meta: Ajo që doja të doja të theksoja sot në mënyrë të veçantë është një vëmendje më e madhe për të ruajtur vlerat muzeale, kulturore e historike të jashtëzakonshme që ka Gjirokastra, nga rreziku i degradimit dhe i shkatërrimit. Në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm një bashkëveprim dhe koordinim i të gjitha institucioneve vendore e qendrore, një mbështetje më e madhe, pasi këto janë vlera të papërsëritshme e të parikthyeshme. 

Dhe sot, më shumë se asnjëherë tjetër duhet vepruar edhe me më shumë energji, me më shumë angazhim dhe mbështetje, në mënyrë që t’ua lemë si trashëgim edhe brezave të ardhshëm. Pasi janë edhe një burim mirëqenie, përveç se një arsye e fortë për të rritur krenarinë e gjirokastritëve dhe të gjithë shqiptarëve.

Më herët presienti Meta nderoi me titullin "Mjeshtër i Madh" doktorin e shquar të Gjirokastrës, Vasil Laboviti.

Presidenti Meta vizitoi sheshin e Çerçizit dhe “Qafën e Pazarit” ku u përshëndet me turistë si dhe me pjesëmarrësit në panairin e çelur me këtë rast, e duke u uruar atyre një sezon turistik sa më të mbarë.

 

/Ora News.tv/