Mbretëresha hap sezonin parlamentar: Largimi nga BE-ja më 31 tetor, prioritet i qeverisë sime

Mbretëresha hap sezonin parlamentar: Largimi nga BE-ja më 31 tetor,

Sezoni i ri parlamentar u hap të hënën në Britaninë e Madhe me një theks të veçantë te çështja Brexit. Në fjalimin e saj ku propozoi 26 nisma të qeverisë, mbretëresha Elizabeta e Dytë tha se prioritet do të kenë ruajtja dhe zhvillimi i marrëdhënieve me Brukselin.

Mbretëresha Elizabeta e Dytë hapi të hënën siparin e sezonit të ri parlamentar në Britaninë e Madhe.

Ceremonia shtetërore nisi paradite nga pallati mbretëror dhe u zhvendos në dhomën e lartë të lordëve, duke ndjekur ritualin që daton nga shekulli 16.

Me Princin Çarls në krah, trashëgimtarin e saj më të vjetër, monarkja 93-vjeçare prezantoi programin e ardhshëm politik të kryeministrit Boris Xhonson.

Ligjërata nisi me adresimin e çështjen më të ngutshme me të cilën përballet vendi, pikërisht largimi nga familja europiane në vetëm 2 javë më vonë e gjysmë.

"Largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian më 31 tetor ka qenë gjithmonë prioritet i qeverisë sime. Në synojmë një partneritet të ri, bazuar në tregtinë e lirë dhe marrëdhëniet miqësore. Qeveria ime garanton se do të vazhdojë të luajë një rol kryesor në çështjet globale, në mbrojtjen e interesave dhe promovimin e vlerave tona."

Sovrania e shtetit qartësoi se marrëdhënia e re pas daljes nga BE-ja parashikon zhvillimin e strategjive të reja në fusha, si bujqësia, emigracioni, lëvizja e lirë, financat, shëndetësia, punësimi, siguria, arsimi dhe mjedisi.

Për mbretëreshën, Brexit i jep vendit mundësi më të mira për t'i realizuar këta objektiva.

Opozita, ndërkohë, e quajti të hënën programin e qeverisë një manifest elektoral të kryeministrit Xhonson.

Për shkak të mbështetjes së ulët që gëzon në parlament por edhe kushtëzimit me shtyrjen e procesit Brexit, kryeqeveritari britanik rrezikon të mos i miratojë apo zbatojë planet e propozuara, çka do e çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Brexit pritet të diskutohet të enjten në samitin e posaçëm në Bruksel, edhe pse shpresat për arritjen e një kompromisi mes palëve sa vijnë e shuhen teksa afron ultimatumi i 31 tetorit.

EMISIONET