Mbi 500 mijë viktima nga Covidi në botë, epidemia nuk resht së përhapuri

Mbi 500 mijë viktima nga Covidi në botë, epidemia nuk resht

Lufta për mbijetesë me koronavirusin u ka marrë jetën mbi 500 mijë personave në botë, ndërsa 10 milionë të tjerë janë infektuar nga kovidi i ri.

Më shumë se 500 mijë persona kanë humbur jetën tashme nga virusi SARS-Cov 2 që ka infektuar mbi 10 milionë njerëz në botë.

Bilanci i rëndë u arrit të dielën teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se në 7 muaj kovidi i ri ka vrarë thuajse aq shumë persona sa ç'vret një virozë tjetër si gripi brenda një viti.

Amerika Veriore, Amerika Latine dhe Europa secila numërojnë rreth 25 për qind të rasteve, ndërsa në Azi dhe Lindjen e Mesme kjo përqindje është 2- deri 3-fish më e ulët.

Brazili, si një nga epiqendrat kryesore të pandemisë, diagnostikoi një ditë më parë 30,400 raste të reja me koronavirus, duke e rritur totalin e jetëve të humbura mbi 57 mijë, shifër kjo e dyta më e larta në botë pas SHBA-së, që raporton më shumë se 125 mijë viktima.

Për Europën, Britania e Madhe regjistron bilancin më tragjik prej koronavirusit, rreth 43,500 të vdekur, ndjekur nga Italia me afro 11 mijë më pak viktima dhe Franca me gati 30 mijë viktima.

Ndërsa shumica e vendeve të botës kanë filluar të heqin masat e karantinës për të rivënë në lëvizje ekonomitë, kjo po shoqërohet edhe me identifikimin e vatrave të reja të infeksionit.

Australia njoftoi të hënën 75 raste të reja apo pikun e epidemisë në dy muajt e fundit; në Kinë u izolua një qytezë e tërë afër Pekinit me 400 mijë banorë pasi u raportuan 12 raste të reja në rang vendi; ndërsa në Indi, 19 mijë raste të reja brenda ditës e çuan në 520 mijë totalin e të infektuarve në nivel kombëtar.

Ekspertët mendojnë se hapja e hershme e vendeve dhe neglizhimi i rregullave të distancimit nga vetë popullsitë nëpër botë po bëjnë që të shtohen rastet e kovidit.

Infeksionet e para me koronavirus u raportuan në qytetin kinez të Uhanit më 10 janar, përpara se të përhapeshin më tej në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj në Rusi.

Sipas agjencisë globale të shëndetit, vaksina kundër virusit me gjasë mund të prodhohet vetëm vitin e ardhshëm.




EMISIONET