Maskat dhe dorezat mbrojtëse mbushin rrugët, bashkia harron higjienën në Tiranë

Maskat dhe dorezat mbrojtëse mbushin rrugët, bashkia harron

Pavarësisht situatës me pandeminë Tirana vijon të jetë e ndotur dhe e mbushur me papastërti. Përveç kazanëve të plehrave që i sheh gjithmonë plotë, në rrugët e kryeqytetit shikon tashmë edhe maska e doreza mbrojtëse pa fund, ndërsa askush nga Bashkia e Tiranës nuk kujtohet ti pastrojë. E njëjta situatë paraqitet edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili sot trajton rastet më të rënda me Covid-19.

U bënë një muaj tashmë nga evidentimi i rastit të parë me koronavirus në Shqipëri, por në Tiranë kujdesi për pastërtinë është thuajse zero, pavarësisht se autoritetet shëndetësore e kanë cilësuar higjienën si tepër të rëndësishme në këtë luftë.

Por jo vetëm në rrugët dhe hapësirat e çfarëdoshme në kryeqytet, pasi kjo situatë paraqitet e njëjtë edhe në hyrje të sptalit “Shefqet Ndroqi”, i cili është shndërruar në një nga spitalet ku aktualisht po kurohen edhe rastet më të vështira me koronavirus.

Por pavarësisht se prej ditësh këto ambiente janë në këtë gjendje, askush nga Bashkia Tiranë nuk shqetësohet dhe të marrë masat për të pastruar të paktën këtë hapësirë e cila në këto kohë duhet të ishte simbol i rregullit dhe pastërtisë.

Por fshesa e bashkisë mungon thuajse në çdo cep të Tiranës. Trotuaret përballë bankave këto ditë janë vendet që kanë edhe një frekuentim të madh të qytetareve të cilët presin në radhë, por në to gjen maskën e përdorur, e cila prej ditësh "pret dorën e bashkisë për ta marrë".

Gotat e kafes dhe kutitë e kartonit mbushin gjithashtu cepat e pallateve, ndërsa askush nuk kujtohet t’i pastrojë.

Qytetaret shprehen se nëse në Tiranë do te ishte punuar me shumë me higjienën, nuk do ishte sot vatra kryesore e pandemisë në Shqipëri.

Por nuk mungojnë as ata që përgjegjës për këtë situatë bëjnë edhe qytetarët e papërgjegjshëm që hedhin kudo këto mjete mbrojtëse.

Qe prej fillimit të kësaj situate, Ora News ka denoncuar dhjetëra raste të tilla në lagjet e kryeqytetit, të cilat janë lënë në harresë nga Bashkia Tiranë, pavarësisht situatës së vështirë që ka shkaktuar koronavirusi.

EMISIONET