Maska statujave për ndërgjegjësimin e distancimit social

Maska statujave për ndërgjegjësimin e distancimit social

Artistët në Brazil dhe Argjentinë kanë nisur t'u vënë maska statujave më të famshme në kryeqytetet e tyre për të promovuar idenë e distancimit social teksa pandemia përhapet shpejt nëpër kontinentin latin.

Fytyrat e shumë shtatoreve në qytetin e Rio-De-Zhanejros në Brazil dhe në Buenos-Ajresin argjentinas po mbulohen me maska për të ndërgjegjësuar banorët mbi rrezikun e koronavirusit.

Duke nisur nga e mërkura, në Argjentinë është bërë i detyrueshëm mbulimi i gojës kur hyn në dyqane, kur përdor transportin publik dhe për personelin që është në kontakt me qytetarët.

"I kam vendosur një maskë modelit të Krishtit që të ndërgjegjësohemi për kujdesin që duhen të tregojmë ndaj njëri-tjetrit. Nuk ka ardhur nga ne, por ne jemi të infektuar dhe duhet të qëndrojmë brenda," thotë një artist brazilian.

Përpjekjet artistike për vetëdijësim janë shfrytëzuar edhe në Kinë, Nju-Jork dhe në shtete të tjera të botës, por janë të shumtë argjentinasit që ankohen ndaj autoriteteve për mungesën e mjeteve mbrojtëse, si maskat, për popullatën e gjerë.

"Problemi është se maskat nuk gjenden dhe po i improvizojmë. Është qesharake që më duhet të pres një shishe plastike për ta mbajtur në fytyre, por na duhet ta mbrohemi."

"Qeveria, shteti apo bashkia duhet t'i shpërndajnë ato falas në çdo cep rruge, siç veprojnë me fletushkat propagandistike në periudha zgjedhjesh."

Në Amerikën Latine janë konfirmuar mbi 50 mijë raste me Covid-19 dhe numri i atyre që kanë ndërruar jetë nga sëmundja ka kaluar 2 mijë.

Rasti i parë u shënua në shtetin brazilian të Sao-Paolos më 26 shkurt, dhe që atëherë pandemia është përhapur kudo nëpër kontinent, me bilanc më negativ veçanërisht në Brazil, Ekuador dhe Peru.

Brazili zyrtarisht raporton mbi 25 mijë të infektuar dhe mbi 1,500 viktima, por shifra reale sipas instituteve të pavarura është deri 12-fish më e lartë.

Presidenti brazilian i ka kritikuar masat kundër pandemisë duke i quajtur ato të ekzagjeruara.

EMISIONET