Manastirliu: Shqipëria nuk rrezikohet nga koronavirusi

Manastirliu: Shqipëria nuk rrezikohet nga koronavirusi

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka pranuar se në Shqipëri janë dyshuar për 5 raste me koronavirus por fatmirësisht kanë rezultuar negative.

Ndërsa ka raportuar përpara komisionit parlamentar të shëndetësisë mbi situatën e gripit në vend, ministrja ka theksuar se vendi ynë nuk është prekur nga virusi kinez.

Ajo u shpreh se Shqipëria ka marrë të gjitha masat për parandalimin e rasteve të mundshme, që mund të vijnë nga jashtë, bazuar në rekomandimet dhe protokollet e shëndetit të OBSH-së.

Ogerta Manastirliu: ‘’Deri tani ka pasur 5 raste të dyshuara për koronavirus me një historik udhëtimi me Kinën, janë testuar brenda 8 orëve nga laboratori i virologjisë në ISHP.’’

Manastirliu u shpreh se vendi ynë rrezikohet nga sëmundjet respiratore të cilat në javët e fundit janë rritur në masën 23%, por duke theksuar se nuk ka vend për panik dhe se situata është në kontroll.

Ogerta Manastirliu: ‘’Pritja e infeksioneve respiratore është rritur me 23%, pra kemi një intensitet shumë të lartë këtë javë. Ka një përhapje në të gjithë vendin në krahasim me javën e katërt të këtij viti. Janë në qarkullim 3 viruse, AH1, AH3 dhe B.’’

Ministrja tha se për të parandaluar virozat stinore janë kryer në kohë vaksinimet për 80 mijë qytetarë, kryesisht të sëmurë kronikë, gra shtatzëna, fëmijë 2-5 vjeç, personeli mjekësor, ndërsa janë hapur 4 qendra shëndetësore që ofrojnë shërbim 24 orësh.


EMISIONET