Masakra e Srebrenicës, Meta: Drejtësi deri në fund për shkaktarët e gjenocidit të pamëshirshëm

Masakra e Srebrenicës, Meta: Drejtësi deri në fund për

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar masakrën e Srebrenicës në 24-vjetorin e saj. Në një postim në Facebook, Meta tha se është koha të kërkohet drejtësi deri në fund për shkaktarët e këtij gjenocidi të pamëshirshëm.

“Sot në 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, më të madhes në zemër të Europës, është koha jo vetëm të lutemi për shpirtrat e viktimave dhe dhimbjen e patreguar që përjetuan popujt e rajonit tonë, por njëkohësisht të kërkojmë drejtësi deri në fund për shkaktarët e këtij gjenocidi të pamëshirshëm,”-shkroi Presidenti.

Ai shtoi se duhet të ruhet dhe forcohet bashkëjetesa etnike-fetare dhe kulturore, që të mos përsëriten tragjedi të tilla.

Ilir Meta: “Duhet të ndërgjegjësohemi e përgjegjësohemi që bashkëjetesën etnike-fetare dhe kulturore ta ruajmë e ta forcojmë, pa lejuar askënd të helmojë dhe të përçajë popujt dhe kombet tona, në mënyrë që tragjedi të tilla t’i përkasin vetëm të kaluarës së hidhur të historisë së rajonit tonë.”

Ndërsa shoqëroi postimin me një foto nga Sarajeva, duke shkruar: “Kjo foto e qytetit të bukur të Sarajevës, ku harmonizon natyrshëm objektet e besimeve të ndryshme fetare, të shërbejë për të ecur përpara drejt të ardhmes se përbashkët në Bashkimin Europian, duke evidentuar edhe trashëgiminë historike të bashkëjetesës mes kombeve dhe popujve të rajonit tonë.”

Çfarë ndodhi më 11 korrik 1995?

Bosnjë-Hercegovina shënoi 24-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës. Gjenocidi që nisi më 11 korrik 1995 konsiderohet si një nga më të rëndët në historinë moderne europiane.

Ai solli vdekjen e mbi 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë të moshës 12 deri 77 vjeç, të përndjekur nga fillimvitet 90 kur nisën konfliktet etnike në vend.

Ata u vranë masivisht nga forcat serboboshnjake nën urdhrat e komandant Ratko Mladiç, me mbështetjen edhe të ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviç dhe homologut serboboshnjak, Radovan Karaxhiç, të dënuar më vonë për krime lufte.

Trupat e viktimave u hodhën nëpër varre masive dhe pyjet përreth dhe identifikimi i tyre vazhdon edhe sot.

Të enjten, me rastin e përvjetorit të masakrës, në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të varrosen eshtrat e 33 viktimave të gjetura ndër vite.

Bashkimi Europian doli me një deklaratë zyrtare, duke theksuar nevojën e ndëshkimit të së kaluarës tragjike dhe kundër rishkrimit të historisë së vendit.

Një mesazh ngushëllimi për viktimat ndau edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili foli për drejtësi të munguar ndaj barbarive të ish-regjimit serb në Ballkan.

Një ditë më parë, rreth gjashtë mijë pjesëmarrës nga e gjithë bota udhëhoqën një marshim paqeje në drejtim të qendrës përkujtimore Potoçari në Srebrenicë.

Aktualisht aty janë varrosur eshtrat e mbi 6,600 viktimave të gjenocidit serb, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë mbeten të zhdukur.

EMISIONET