Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë, marrëveshje e cila pritet të firmoset nesër.

Për diplomatin Mal Berisha ky "tym i bardhë" nga Kosova është një lajm i mirë për një popull i cili votoi në mënyrë demokratike.

I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Berisha tha se LVV i bie barra e rëndë për për të treguar që është një parti e suksesshme edhe në qeveri, ashtu siç provoi që ishte në opozitë.

Mal Berisha: VV duke qenë një parti e paprovuar në pushtet, e cila mbartte me vete një skepticizëm për shkak të përvojës së munguar e rriti skepticizmin ndaj saj. Ata morën një shumicë, me një diferencë të vogël me vetëm një deputet. Skepticizmin ndaj saj për shkak të tejzgjatjes së negociatave e rrit edhe dyshimi sa a do të dinë të na qeverisin kur nuk kanë qenë kurrë në qeveri. Ata janë shumë të mirë në opozitë, i dimë aksionet opozitare, por nuk e dimë si do na qeverisin. Ky është një test i madh për Albin Kurtin. Ai ka një barrë të madhe për të dëshmuar që një grup politik i pa korruptuar deri më sot, në këtë aspekt ata mund të jenë partia politike shqiptare me më pak hamendje rreth korrupsionit. Ai ka një avantazh të madh, a do jetë i zoti që këtë besim që i dha populli ta shfrytëzojë në të mirë të popullit të Kosovës dhe të shtetit të Kosovës, kjo mbetet për tu parë. Unë them se po.

Mal Berisha tha se Albin Kurtin e presin shumë punë të mëdha, sa i takon dialogut me Serbinë.

Mal Berisha: Ai është njeriu që do të udhëheqë Kosovën. I ka kaluar të gjitha shkallët. Është i lexuar, i ditur. Unë besoj tek patriotizmi i tij dhe dua të besoj dhe nuk dua të zhgënjehem si asnjë shqiptar patriot që të mos bëjë lëshime në atë që do ta presë. Ata e presin punë shumë të mëdhaja, jo vetëm drejtimi i qeverisë, jo vetëm rritja e mirëqenies dhe punësimit, por ai ka një barrë tjetër, që janë diskutimet me Serbinë.   Nëse ka një njeri që e ka provuar se çfarë do të thotë  të jesh nën trysninë fizike të serbe është Albin Kurti. Për momentin duhet të besojmë kështu, pastaj të shohim çfarë do të ndodhë. 

Diplomati Berisha kishte vlerësime edhe për LDK, për të cilën tha se është aset i madhe kombëtar në Kosovë.

Mal Berisha:  LDK është një aset i madh kombëtar. Kosova aty e ka filluar jetën politike, me LDK. Rugova ishte doktrinar, njeriu i cili i priu asaj që kemi sot në Kosovë, ishte njeriu që vendosi mirë piketat. Që në fillimet e veta pa asnjë kompromisi ai kërkoi që Kosova të shkëputej nga Jugosllavia, të bëhej republike. Ai kërkoi edhe ndërhyrjen e ndërkombëtare.

/Ora News.tv/