Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ende nuk ka marrë asnjë emër si propozim për t’i dhënë plotfuqishmërinë për të negociuar me palën greke në lidhje me marrëveshjen e detit. Burime nga Presidenca thane së deri tani nuk është kërkuar kjo gjë edhe pse në media flitet se një marrëveshje është arritur.

Edhe pse në media flitet për një marrëveshje të arritur midis Shqipërisë dhe Greqisë për delimitimin e kufirit detar, detajet përfundimtare duhet t’i përcaktojnë ekspertët dhe grupi negociator, të cilët më parë duhet të marrin plotfuqinë nga Presidenti I Republikës për të negociuar me palën greke.

Në një reagim për mediat, Presidenca bëri të ditur se Kryeministria apo Ministria e Jashtme nuk ka kërkuar plotfuqishmëri deri në këtë moment për të negociuar mbi këtë çështje.

Këto dy institucione nuk kanë çuar ende emrat e negociatorëve në Presidencë në mënyrë që Presidenti t’u japë të drejtën për të negociuar dhe për të përfunduar marrëveshjen.

Pas dy takimeve, një në Kretë në nëntor të vitit 2017 dhe në Korçë në janar të këtij viti, delegacioni shqiptar dhe ai grek duket se kanë rënë dakord për një sërë çështjesh që kishin mbetur të pazgjidhura për shumë dekada, si varrezat e të rënëve grekë në Luftën e Dytë Botërore dhe heqjen e ligjit të luftës. Një nga çështjet që duket se është gjetur zgjidhje gjithashtu është edhe marrëveshja për delimitimin e kufirit detar mes dy vendeve.

 Marrëveshja e vitit 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese ku një nga argumentat ishte edhe mosdhënia e plotfuqishmërisë nga ana e Presidentit për grupin e ekspertëve negociatorë.

 

/Ora News.tv/