Maqedonia në krizë shëndetësore dhe politike, festat sollën valën e dytë të Covid

Përveç situatës së vështirë shëndetësore për shkak të pandemisë, Maqedonia e Veriut prej sot hyn edhe në një krizë politike.

Gazetari, Zekirja Mexhiti, në një intervistë për emisionin "Ditë e Re" në Rtv Ora thotë se partia e Zaev kërkon mbajtjen me çdo kusht të zgjedhjeve, ndërsa opozita VMRO-DPMNE kundërshton me argumentin se nuk është koha e përshtatshme për shkak të pandemisë.

Mexhiti: Maqedonia prej sot hyn edhe një një krizë të re politike përveç asaj shëndetësore dhe ekonomike. Gjatë muajit prill kishte të caktuar datën e zgjedhjeve por për shkak të pandemisë zgjedhjet u shtynë në një afat të pa caktuar. LSDM kërkon mbajtjen me çdo kusht të zgjedhjeve pasi deri më tani shteti është drejtuar nga qeveri teknike. Partia opozitare VMRO-DPMNE kundërshton duke deklaruar se nuk është momenti.Prej sot kanë filluar të rrjedhin afatet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për mbajtjen e zgjedhjeve me 5 korrik, të shtunën pa përfunduar dhe gjendja e jashtëzakonshme.

Bilanci i një ditë më parë për Maqedoninë ishte tejet negativ sa i takon numrit të infektuarve me koronavirus, me 162 raste të reja dhe 9 të vdekur.

Mexhiti: Në Maqedoninë e Veriut kemi valën e  dytë të infektimeve me Covid 19. Është java e dytë që kemi regjistrime me numër treshifror. Numri i të infektuarve çdo ditë është 190-200. Kemi mbi 4000 raste infeksioni.Janë shifra alarmante për autoritetet shëndetësore, pasi edhe kapacitete e spitaleve kanë filluar të mbushen. Por Maqedonia tashmë po provon modelin e Suedisë për të mos mbyllur ekonominë dhe lëvizjen e qytetarëve, pasi Maqedonia për 2 muaj ishte e mbyllur. Ekonomia shkoi drejt kolapsit.

Kjo valë e dytë ka qenë e papritur për autoritetet shëndetësore pasi pritej në shtator bashkë me grupin sezonal të vjeshtë. E gjithë kjo i faturohet mosrespektimit të masave nga ana e qytetarëve si mbajtja e distancës fizike dhe maskat. Gjatë 24 orëve të fundit kemi pasur 9 viktima, një rekord i zi. Numri në total i të vdekurve është 198.

Si doli situata jashtë kontrollit?


Mexhiti: Sipas autoriteteve këtu situata ka dalë jashtë kontrollit pas festave fetare, festa e Bajramit që festohet nga besimtarët myslimanë dhe një festë ortodokse.Fuqia e virusit është ulur por numri i rasteve aktive vijon të jetë i lartë.

Në pikëpyetje është vendosur dhe hapja e kufijve tokësorë dhe ajrorë. Përveç Shqipërisë dhe Kosovës, vende të tjera të rajonit nuk kanë hapur kufijtë për Maqedoninë,  ndërsa kjo e fundit nuk pranon futjen e asnjë personi në territorin e saj ka kryer testin e Covid-19.

Mexhiti: Qytetarët do të duhet të presin dhe pak, për shkak se shtete të rajonit përveç Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë hapur kufijtë për Maqedoninë. Maqedonia e Veriut nuk lejon asnjë person të hyjë në vend pa kryer testin e Covid. Pritet të vendoset gjatë kësaj jave kur do të lëvizin lirshëm qytetarët e Maqedonisë por edhe kur do të hapen kufijtë me shtetet fqinje. Edhe për transportin ajror ishte planifikuar të fillonin me 15 qershor por numri i lartë i infeksioneve ka ndryshuar gjithçka. Pritet të nisë në fillim të muajit të ardhshëm por do të mbetet për tu parë në varësi të situatës me Covid.

-Intervista në studio me moderatorët Arjola Shehu dhe Arjon Muça, përgatiti për online Besjana Kuçana

EMISIONET