Kur u duk se e ardhmja e tij ishte larg PAOK, kampionët e Greqisë kanë dhënë edhe verdiktin final për Ergys Kaçe. Mesfushori shqiptar ka bindur teknikun e bardhezinjve, Abel Ferreira për ta mbajtur në ekip, duke shtuar cllësitë në repartin e mesit të fushës së ekipit të tij.

Një vendim që është marrë vetëm në momentet e fundit, duke parë gatishmërinë e Kaçes në stërvitje por edhe në miqësoret e zhvilluar me PAOK. Disa ditë më parë kishte thashetheme se e ardhmja e Kaçe do të ishte në Seria A në radhët e Fiorentinës, por gjërat kanë ndryshuar dhe korçari do të jetë sërish te PAOK. Kaçe është produkt i dalë nga akademia e PAOK, me të cilët ka debutuar me ekipin e parë në vitin 2010.

Me fanellën e bardhezinjve ka zhvilluar 113 takime, duke shënuar edhe 7 gola. Ndërkohë, mes këtyre viteve, 26 vjeçari ka luajtur si i huazuar në skuadra si Agagennisi Epanomi, Viktoria Plzen dhe Panathinaikos. Gjithashtu, Kaçe është pjesë e kombëtares shqiptare prej vitit 2013, me të cilët ka qënë prezent në 23 takime, duke ndihmuar edhe me dy gola.



/Ora News.tv/