Lulzim, ua kthen lirinë shqiptarëve?

Lulzim, ua kthen lirinë shqiptarëve?

Ndoqa online një video të shkurtër të Lulzim Bashës. U bëra kurioz, sepse u premton qytetarëve se po i dëgjon pasi meritojnë të trajtohen me dinjitet. U thotë atyre: “Kudo ku shkoj, me këdo që flas, njerëzit kërkojnë të njëjtat gjëra. Mundësi, punësim, shëndetësi dhe arsim të denjë, zbatim të ligjit, një qeveri që kujdeset për ta, një qeveri që i dëgjon. Si çdokush edhe unë kam të metat e mia dhe e di shumë mirë se kam bërë edhe gabime në të kaluarën. Por një gjë ua premtoj të gjithë shqiptarëve, se gjithmonë do ju dëgjoj, gjithmonë do ju shërbej dhe se gjithmonë do tju vë ju të parët”.

Më zhgënjeve Lulzim, si përherë! Ata që takon ti kërkojnë shërbimet bazë dhe që qeveria të mos jetë arrogante me ta. E kanë ulur përtokë stekën e kërkesave, sepse në këtë derexhe e sollët qeverisjen për popullin në këto dy dekada. I bëtë njerëzit skllevër për copën e bukës, për një vend pune, për arsimim dhe shërbim shëndetësor elementar.  

Por je gabim Lulzim! Ata nuk kërkojnë kaq pak. Duan lirinë. Atë që ua mbani peng ti dhe Rama. Ua kthen dot këtë?

Nëse u premton shqiptarëve se do t’i dëgjosh dhe shërbesh, kthejuni liritë politike që morët që nga viti 1995 kur nisët vrasjen e votës së tyre. Kërko falje për krimet zgjedhore që bëri partia që drejton ti. Premtoju shqiptarëve se nuk do të bësh me pazare okulte me Ramën, për të mos e llogaritur më popullin askund si deri më sot, se ai do të vendosë për gjithçka dhe jo ti me Ramën. E bën dot këtë, Lulzim?

Nëse e bën, bujrum! Do të jem i pari që do ta shpërndaj videon tjetër me premtimet e tua të përmbushura, se u tërhoqe nga administrimi politik i zgjedhjeve, se ua le njerëzve të thjeshtë që të zgjidhen dhe të zgjedhin kandidatët për deputetë, kryetarë bashkish dhe këshilltarë. Por kësaj që ke shpërndarë Lulzim, as like nuk i jap dot, as unë, as shqiptarët e lodhur.

EMISIONET