Presidenti i Republikës Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e 5 partive politike shqiptare në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që njihet edhe si Lugina e Preshevës, që në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se bashkëpunimi i tyre do të garantojë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare.

''Përshëndes ngrohtësisht dorëzimin e listës së përbashkët të partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës për zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit. Shpreh bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhje, bashkëpunimi i të gjitha subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare, në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi.''

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës thonë se është shumë e rëndësishme që partitë politike kanë arritur një unifikim që bashkë të marrin pjesë në zgjedhje.

Ata thonë po ashtu se synimi i tyre është arritja e të paktën tri ulëseve në Kuvendin e Serbisë.



/Ora News.tv/