Tashmë është zyrtare.

Armando Sadiku është lojtari më i ri i Luganos. Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit ka lënë pas dëmtimin dhe ka menduar ta vijoj karrierën aty ku e nisi, pikërisht në Superligën zviceriane me fanellën e Luganos.

Sadiku do transferohet në formë huazimi nga klubi i tij i Levantes tek Lugano deri në fund të sezonit në qershor me të drejtën e blerjes së kartonit. Por kjo nuk është hera e parë që Sadiku vesh fanellën e skuadrës zviceriane. Sulmuesi kuqezi ka qenë pjesë e ekipit zviceran edhe dy herë të tjera. Fillimisht ai u aktivizua te Lugano nga viti 2012 deri në 2014, për tu rikthyer përsëri në pranverën e vitit 2017.

Te kjo skuadër, Sadiku ka gdhendur shifra marramendëse: 38 gola dhe 11 asistime në 62 paraqitje. Me pak fjalë, Lugano ka në dorë një goleador. Në letër, problemi i rrjetave është zgjidhur. Fjala kryesore në shtëpinë e bardhezinjve mbetet mbijetesa, por me Sadikun në organikë ata kanë nisur të ëndërrojnë më shumë.

Karriera e tij ndërkombëtare është shumë e respektuar, me 11 gola  në 32 paraqitje me kombëtaren e Shqipërisë, tre paraqitje dhe një gol në Europa League, katër ndeshje kualifikuese për Europa League dhe dy kualifikuese në Ligën e Kampionëve.




/Ora News.tv/