"Procesi i kufizimeve është proces që po e ndjek shumica e vendeve. Duhet të jemi të duruar dhe të respektojmë këto kufizime".

Kjo është përgjigja e presidentit Ilir Meta për kritikët e masave shtrënguese në luftën kundër koronavirusit në Shqipëri.

Meta: Përmes gjurmimit efikas të gjitha rasteve të identifikuara dhe testimeve do të arrijmë të izolojmë të gjithë rastet që të mos kemi shpërndarje të mëtejshme por shërim të gjithë personave të prekur dhe vatrave të deritanishme.

Deklaratën e bëri nga Shkodra, zona e dytë me e prekur nga Covid 19, ku sërish Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e distancimit social.

Meta: Dua të ftoj të gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues në këtë proces, të mos ndihen fajtorë dhe të rrezikojnë duke mos bashkëpunuar për të bërë testin apo realizuar procesin e karantinimit për rastet e dyshuara për kontaktet. Nuk është turp të kesh COVID 19 por është turp të jesh i pakujdesshëm dhe t'ua transmetosh njerëzve të tjerë të familjes, miqve, fqinjëve e me radhë.

Sa i përket masave në kufi, Meta nga Lezha i kujtoi qeverisë Kushtetutën dhe bashkëkombasve situatën që po kalojmë.

Meta: Pa asnjë diskutim që duhet bërë çdo përpjekje për të garantuar të drejtat e tyre kushtetuese dhe sipas Konventave Ndërkombëtare. Por duke pasur në konsideratë edhe këtë situatë, pra, mbrojtjen e tyre edhe të të gjithë qytetarëve tanë përmes garantimit të procesit të karantinimit apo të bërjes së testeve në të gjitha rastet ku ka shqetësime apo dyshime.

Unë do t’i këshilloja të gjithë ata që kanë mundësi apo që nuk kanë domosdoshmëri për të ardhur në vend, të përpiqen që të evitojnë sa kanë mundësi lëvizjet në këtë periudhë. Megjithatë, në të gjitha rastet duhet të bëjmë çdo përpjekje dhe ata duhet të ndjekin rrugën e bashkëpunimit edhe me ambasadat e me konsullatat tona. Edhe përmes udhëzimeve që jep Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në mënyrë që të mos gjendemi para situatave të vështira për t’u menaxhuar dhe që nuk janë në interesin e askujt.

Presidenti në Lezhë e Shkodër pati takime me drejtuesit vendore dhe u njoh me masat e marra kundër përhapjes së koronavirusit në vend.



/Ora News.tv/