Listat e hapura, Hyseni: Nuk e shohim me fobi, nëse ke besimin e njerëzve fiton me çdo formulë

Listat e hapura, Hyseni: Nuk e shohim me fobi, nëse ke besimin e

Ditën e nesërme (30 qershor), Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve do të diskutojnë draftin e dakordësuar për ndryshimet në kodin zgjedhor.

Në një intervistë për Ora News, deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni, tha se Komisioni i Ligjeve do ta shqyrtojë këtë draft dhe do të shikojë cilësinë e tij. Më pas, komisioni do e çojë draftin në seancën plenare, e cila ka tagrin për të vendosur nëse do jetë kodi i ri zgjedhor.

Alket Hyseni: ''Komisioni nuk e ka ezauruar draftin e tij. Ka një draft të Këshillit Politik i cili i është dorëzuar komisionit. Komisioni do të shqyrtojë këtë draft, kuptohet që është ai faza institucionale e filtrimit. Besojmë që është një draft i dakordësuar i subjekte politike dhe ne si Parti Socialiste, si nga historiku ashtu edhe nga parimet që kemi, i qëndrojmë marrëveshjeve dhe do të jetë një draft që do të mbështetet nga ana jonë.''

''Por tek e fundit, është komisioni që gjatë diskutimeve do të shkojë cilësinë e draftit përveç zgjidhjeve politike, por edhe gjuhën teknike, ligjore të përdorur, formulimet e sakta dhe do ia përcjelli seancës plenare, e cila ka tagrin për të vendosur përfundimisht nëse ky draft do të përkthehet nesër në kodin e ri zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.''

Sa i takon listave të hapura për kandidatët për deputetë, Hyseni shprehet se mazhoranca nuk sheh me fobi këtë çështje. Sipas tij, e rëndësishme është të fitosh besimin e njerëzve, sepse me çdo formulë, nëse ke besimin e njerëzve je fitues.

Alket Hyseni: ''Ne nuk e kemi parë kurrë me fobi dhe as nuk e shohim me fobi. Çështja e sistemit, ka të bëjë me formatin se si i paraqitesh zgjedhësve dhe se si përkthehet vullneti i tyre në mandate. Për ne ka qenë e rëndësishme të marrim besimin e njerëzve. Në çdo formulë tjetër po e ke besimin e njerëzve, besoj se je fitues. Rëndësi ka programi, idetë dhe njerëzit që ofron. Them që duhet ta gjejmë akordin, dhe besoj do ta gjejmë akodrin që edhe këtë ta kapërcejmë. Janë në drejtën e tyre dhe opozitarët parlamentarë. Besoj se duhet dhe do ta gjejmë një ekuilibër dhe një konsensus për këtë çështje.''

Intervistoi në studio Besmira Pelushaj, përgatiti për online Renato Çaushi.

EMISIONET