Lezhë: Nxirrinin materiale inerte dhe shkarkonin mbetjet te ujësjellësi, pranga dhe gjobë 2 personave

Lezhë: Nxirrinin materiale inerte dhe shkarkonin mbetjet te

Kur kanë mbetur pak ditë para fillimit zyrtar të sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me IKMT-në ka vijuar operacionin për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Një 56 vjeçar është vënë në pranga pasi përgjatë shtratit të lumit Mat, nxirrte materiale inerte.

''Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me IKMT-në, kanë vijuar kontrollin përgjatë shtratit të lumit Mat, ku gjatë kontrollit është kapur në flagrancë duke nxjerrë materiale inerte dhe është proceduar shtetasi D.B., 56 vjeç, banues në Kurbin'', thuhet në njoftimin e policisë.

IKMT e ka gjobitur shtetasin me masë administrative 2 milion lekë (të reja).

Ndërkohë është vënë në pranga edhe një 37-vjeçar pasi fabrika e përpunimit të peshkut, shkarkonte mbetjet në rrjetin e kanalizimeve të ujësjellësit në Shëngjin.

''Gjithashtu, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin G.A., 37 vjeç, banues në Ishull Lezhë. Shërbimet e Policisë dhe IKMT-së, gjatë kontrollit konstatuan se fabrika e përpunimit të peshkut, shkarkonte mbetjet në rrjetin e kanalizimeve të ujësjellësit në Shëngjin'', njofton policia.

IKMT-ja e ka gjobitur subjektin me masë administrative 500 mijë lekë (të reja) si dhe do të  ndërpresë lidhjen me rrjetin e kanalizimeve.


EMISIONET