Secili në llogoren e tij. Presidenti me 13 tetorin dhe kryeministri me 30 qershorin. Edhe këtë të premte, vijoi komunikimi ironik dhe akuzues i dy krerëve të lartë të shtetit. Meta nga zyra e kreut të shtetit duke pritur reflektimin dhe Rama duke përmbyllur fushatën.

Nga Himara, ku ndodhej për fushatë elektorale, kryeministri e quajti me ironi 'letër dashurie" letrën që kreu i shtetit i kishte dërguar dhe nënvizoi se 30 qershorin nuk e lëviz as topi.

Edi Rama: "Zgjedhjet do bëhen të dielën dhe nuk e luan as topi, jo më ta luajë filxhani ku Monika ka zhytur të gjithë opozitën dhe jo dekret pas dekreti i Baba Xhikes që më kishte çuar dhe një letër dashurie mbrëmë që çuditërisht baba Xhikja e çoi mbasi u dogj KZAZ-ja në Vaun e Dejës. Dashuri me Kod: 'Reflekto Edi se e shikon çfarë po ndodh?"

Kujtoi edhe Ramiz Alinë se i shtyu zgjedhjet. Po Ramiz Alia i shtyu se kishte gjithë popullin në rrugë, se ishte e gjithë shqiptaria e ngritur për të ndryshuar sistem, sepse kështu si erdhi puna sot, që edhe Bujar Nishani krahasuar me Baba Xhiken na duket si Xhefersoni, edhe Ramiz Alia na del burrë shteti që shtyu zgjedhjet për të evituar që ta merrnin e ta hidhin atë së bashku me byronë politike në fund të detit, po këtu cili është ngritur për të shtyrë zgjedhjet? 

Ku është populli këtu që po kërkon shtyrjen e zgjedhjeve? Populli i atyre familjarëve të bashkisë së Vaut të Dejës që hedh gurin e fsheh dorën, apo atyre punonjësve bashkiakë që i mori në qafë, një hileqar i pabesë një burrë që nuk meriton të quhet i tillë. Që për vete rri pi raki në klub dhe njerëzit e tij i çon burgjet, ja këta janë ata."

Presidenti nga ana e tij postoi nje mesazh ne facebook duke iu drejtuar qytetareve. 

"Mirëdita të dashur qytetarë!
 Nga dje, data kushtetuese e zgjedhjeve vendore është 13 tetor 2019. Situata është e qartë dhe e padiskutueshme nga ana ligjore dhe kushtetuese. Gjithsesi kryeministri po insiston për të shkuar në votime socialiste në datën 30 qershor 2019.  Ju këshilloj ta merrni atë me qetësi e mençuri, dhe të mos bini pre e  provokimeve, sepse ato u shërbejnë vetëm atyre që duan të legjitimojnë  kapjen totale të shtetit dhe instalimin e një regjimi njëpartiak. 
 Të dashur qytetarë,  T’i respektojmë dhe të mos konfrontohemi me të gjithë ata bashkëqytetarë që do të shkojnë në këto votime socialiste. "

Ndërsa Rama e fton presidentin të konsumojë paçe deri më 30 qershor Presidenti i fton shqiptarët të kërcejnë me një video votimi në periudhen e diktatures.

Edi Rama: "Ai nuk u zgjua për të dalë në zyrë ai nuk ka fjetur fare. Edhe kur nuk fle në 5 të mëngjesit ha paçe me Fahri Balliun"

Ilir Meta: Ata vetë do votojnë, vetë do t’i numërojnë.   Të gjithë shqiptarët së bashku, në mënyrë demokratike, të fshehtë, të  lirë dhe të ndershme do të zgjedhin vetëm në 13 tetor 2019.  Ndaj ju ftoj të ndiqni dhe këtë video për t’u çtensionuar sadopak në prag të kësaj fundjave interesante.

Një ditë më parë presidenti dekretoi 13 tetorin si date te zgjedhjeve vendore por kjo nuk u pranua nga maxhoranca në pushtet





/Ora News.tv/