Andres Iniesta zyrtarizoi sot fundin e epokës së tij në “Camp Nou”.

Mesfushori që debutoi në vitin 2002, ka qenë pjesë e “La Messia” që në moshën 12-vjeçare dhe konsiderohet si një nga futbollistwt më të mirë që ka parë Europa në 15 vitet e fundit. 33-vjeçari pritet qw tw luajw në Kinë në sezonin e ardhshëm, pasi mohoi kategorikisht njw skuadwr europiane.

Më poshtë po ju paraqesim shifrat më interesante në karrierën e “Don Andres".

669 – Iniesta ka luajtur 669 ndeshje me Barcelonën në të gjitha veprimtaritë, më shumë se secili prej futbollistëve aktual, i dyti pas Xavi që luajti 767 ndeshje.

456 – Nga këto 669 ndeshje, Iniesta ka fituar 456 ndeshje, mesatarisht 68.2% të takimeve të luajtura,

18 – Iniesta ishte 18 vjeç e 170 ditë kur debutoi me Barcelonën në Champions League, në ndeshjen kundër Club Brugge, më 29 tetor 2002.

8 – “Ikona” e Barcelonës ka fituar tetë herë titullin kampion në La Liga, teksa titulli i nëntë pritet këtë fundjavë në sezonin e 16-të dhe të fundit për të me ekipin “blaugrana”.

69 – Iniesta ka dhënë 69 asiste në La Liga. Ai dha 16 asiste në sezonin 2012-13, më shumë se çdo futbollist tjetër në pesë kampionatet kryesore të Europës.

9 – Edhe pse nuk e ka fituar asnjëherë “Topin e Artë”, Iniesta ka qenë plot nëntë herë në formacionin më të mirë të vitit të zgjedhur nga FIFA. Vetëm Messi dhe Ronaldo kanë bërë më mirë se ai me 11 prani në “Top 11”.

116 – Momenti më i rëndësishëm dhe njëkohësisht më i lavdishëm në karrierën e Iniesta ka qenë minuta 116 e finales së Kupës së Botës 2010 ku shënoi golin që i dha Spanjës titullin e parë botëror ndaj Holandës.

9 – Iniesta ka pasur 9 trajnerë të ndryshëm në La Liga. Ai me të cilin luajti më shumë ishte Frank Rijkaard, 149 ndeshje.

/Ora News.tv/