Kuvendi ratifikoi fazën e parë të marrëveshjes për emrin

Kuvendi ratifikoi fazën e parë të marrëveshjes për

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar nevojën për ratifikimin e marrëveshjes për emrine cila më pas kalon në komisionin për çështje evropiane, për t'u rikthyer sërish në procedurë parlamentare për miratim, më shumicë të thjeshtë të votave.

Marrëveshja më pas i dërgohet për dekretim presidentit, Gjorgje Ivanov, por ai tashmë disa herë ka bërë të ditur se nuk do të vë firmën në një “marrëveshje antikushtetuese që dëmton rëndë interesat kombëtare dhe shtetërore”.

Në rast të refuzimit, marrëveshja sërish kthehet për ratifikim në Kuvend dhe prapë i dërgohet për dekretim presidentit, i cili në bazë të Kushtetutës është i obliguar ta dekretojë, në të kundërtën bën shkelje ligjore.

Faza e parë e marrëveshjes ka kaluar me 69 vota për dhe 40 kundër.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në arsyetimin e marrëveshjes para deputetëve tha se me të zhbllokohet procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Greqia në bazë të marrëveshjes është e obliguar që pasi të njoftohet se Kuvendi ka ratifikuar marrëveshjen, të njoftojë presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian se i jep mbështetje nisjes së bisedimeve për anëtarësim. Gjithashtu, në bazë të marrëveshjes, Greqia është e obliguar të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së se i jep mbështetjes dërgimit të ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Andaj propozoj që të ratifikohet kjo marrëveshje, që të mund në samitet e radhës të NATO-së dhe BE të arrijmë këto qëllime”, tha Dimitrov, duke rikujtuar gjithashtu mundësinë që do të ketë qytetarët për t’u deklaruar në referendum në vjeshtë.

Por, Dragan Danev nga VMRO-DPMNE-ja tha se marrëveshja paraqet “kapitullim” për vendin, mohon identitetin, gjuhën dhe gjithçka që ka të bëjë me kulturën dhe indin maqedon.

Në shenjë pakënaqësie deputetët e opozitës kanë braktisur punimet e Kuvendit.

/Marre nga REL/

EMISIONET