Kreu i Shtetit, Ilir Meta, e nisi konferencën e jashtëzakonshme me një dolli për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, pak minuta pasi ky institucion publikoi në faqen zyrtare emrat e anëtarëve të rinj pas betimit një ditë më parë në Presidencë.

90 minuta ju nevojiten Ilir Metës që të rregullojë të gjitha gabimet edhe ato drejtshkrimore në kallzimin penal që Presidenti do të dorëzojë në Prokurori ndaj kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, me akuzën për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Ilir Meta: Ju bëj të ditur vendimin tim si president i republikës dhe kryetar i shtetit për të paraqitur  të hënën kallzim penal kundër zotit Ardian Dvorani, kryetar i KED me adresë Gjykata e Lartë Tiranë. Unë presidenti i republikës dhe kryetari i shtetit e akuzoj Ardian Dvoranin për këto vepra penale. 1-Shpërdorimit të detyrës. 2.Përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore.

Meta paralajmëroi Dvoranin se me akuzën për shkelje të Kushtetutës do të përballet me shumë vite burg. Presidenti shpjegoi që nësë do të pranonte situatën e krijuar nga KED, vendi mund të merrte tre drejtime të rrezikshme.

Ilir Meta: Dvorani ka kryer veprimtari antikushtetuese. Në shumë raste jo vetëm kanë qenë në kundërshtim me ligjin por dhe përbëjnë vepra penale.

Në kallëzimin penal ndaj Dvoranit Meta argumenton:

Ilir Meta: Të dashur prokurorë, Presidenti ka ndjekur me vijimësi dhe me shumë shqetësim prej më shumë se 2 vjetësh procesin e funksionimit të KED dhe ecurinë e procedurave për verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Është konstatuar se përgjatë veprimtarisë së KED janë konstuar disa shkelje të rënda përgjatë ushtrimit të detyrës nga kreu i KED, Ardian Dvorani që kapërcen kufirin e shkeljes disiplinore, por hyjnë drejtëpërdrejtë në sjellje të karakterit që është e detyrueshme procedimi penal. 

Veprimet dhe mosveprimet e Dvoranit kanë krijuar pasojë shumë të rëndë që është cënimi i legjitimitetit të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Kushtetueses dhe që kanë krijuar një debat të fortë publik që sjell pasoja të pariparueshme për mirëfunksinimin e sistemit të drejtësisë dhe provokon uljen e besimit të publikut te gjykata Kushtetuese dhe vetë implementimi i suksesshëm i reformës në sistemin e drejtësisë. 

Presidenti vlerëson se këto veprime dhe mosveprime pëbëjnë jo vetëm shkelje disiplinore por edhe vepra të qarta penale. Presidenti parashtron këtë kallzim penal para organit të akuzës me qëllim fillimin e hetimeve ndaj Dvoranit. Nga terësia e rrethanave vlerësohet se përgjatë detyrës së kryetarit të KED, me dashje ka shpërdoruar funksionin publik që i është ngarkuar dhe ka marrë përsipër të realizojë një akt mafioz.

Kreu i Shtetit thotë se zoti Dvorani në cilësinë e kreut të KED ka marrë vendime personale.

Ilir Meta: KED që është një organ kolegjial dhe jo personal. Askush nuk merr dot vendime personale, i ka kolegjiale. KED në mbledhjen e 21 shtatorit nuk ka marrë asnjë vendim mbi kohën dhe mënyrën e dërgimit të listave tek organet e emërtesës për presidentin apo kuvendin. Kreu i KED i ka përcjellë vetë listat e kandidatëve në adresë të presidentit për plotësimin e dy vakancave njëherazi me 8 tetor. Në të njëjtën ditë ka përcjellë pranë Presidentit listën përfundimtare për plotësimin e  dy vakancave njëherazi. Nuk rezultoi që KED në mënyrë kolegjiale të ketë marrë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave. 

Por ky vendim  administrativ është kryer vetëm në mënyrë individuale dhe të qëllimshme nga kreu i KED. Ai ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, të vlerësimit dhe renditjes dhe t'ja përcjellë ato organit të emërtesës. I gjendur para kësaj situate të administrimit të dy listave njëherazi, Presidenti ju drejtua kryetarit të KED me një kërkesë për informacion nëse ky organ ja kishte përcjellë edhe Kuvendit listat për dy vendet vakante që kishte shpallur Kuvendi. 

Kreu i KED informon presidentin se ka përcjellë dhe dorëzuar pranë Kuvendit listat përfundimtare të kandidatëve. Katër vakancat KED i ka miratuar në një ditë dhe zotëria me titullin personal në vend që të respektojë kronologjinë sipas Kushtetutës, Presidentit ja dërgon më përpara dhe Kuvendit vetëm, atë ditë që presidenti e pyet me shkresë.

Meta sqaroi në vijim se "sipas momentit të dërgimit të listave ky afat për presidentin ka filluar të ecë prej datës 9.10.2019 dhe për Kuvendin prej datës 15.10.2019. Presidenti duhej të shprehej brenda datës 7 nëntor 2019 për të emëruar dy gjyqtarë të gjykatës Kushtetuese njëherazi çka përbën ndalim. Ky veprim i qëllimshëm i kreut të KED Ardian Dvorani synonte krijimin e një gjendje antikushtetutshmërie".

Kreu i Shtetit kërkoi nga prokuroria që të tregojë integritet për rivendosjen e besimit të opinionit publik te reforma në drejtësi.

Ilir Meta: Të hetojë të gjithë personat e përfshirë në këtë akt mafioz. Gjithçka është e mirëdokumentuar.

Miratohet projektrezoluta

Kuvendi miratoi sot një pr/rezolutë të PS-së ku i kërkohet Presidentit  Ilir Meta. të heqë dorë nga çdo lloj tentative dhe akti që bllokon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Rezoluta: Shmangia e krizës Kushtetuese me synim legjitimitetin e gjykates Kushtetuese- detyre imperative e organeve te larta te shtetit" u miratua me 97 vota pro dhe asnjë kundër, 2 nuk votuan.

 Pr/rezoluta u hartua nga maxhoranca pasi kreu i shtetit dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, duke mos njohur Arta Vorpsit,  emri i të cilit u publikua në Fletore Zyrtare

Kjo rezolutë do të jetë pjesë e dosjes së komisionit hetimor per shkarkimin e presidentit dhe  nuk ka efekt ligjor por vetëm politik.  

Përmes rezolutës kërkohet tër rishikohet dhe legjislacioni për të shmangur cdo bllokim.   

Kryeministri Edi Rama akuzoi Meten se ka humbur busullen dhe e ka kthyer institucionin ne nje frengji nga ku sulmon të katër anët. 

Në rezolutë shkruhet: 

Kuvendi duhet ti kërkojë Presidentit të heqë dorë nga çdo lloj tentative dhe akti që bllokon zbatimin e reformës në drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese

Kuvendi në mënyrë të përsëritur i bën thirrje presidentit të reflektojë duke e rikthyer institucionin e presidentit në kufijtë e kompetencave të njohur nga kushtetuta dhe mos marrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të kushtetutës. 

Kuvendi duhet të angazhohet të rishikojë legjislacionin për të shmangur krijimin e situatave që pengojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit.



/Ora News.tv/