Kushtetuesja, Meta: Mazhoranca provokoi Presidentin dhe keqpërdori kryetarin e KED

Kushtetuesja, Meta: Mazhoranca provokoi Presidentin dhe keqpërdori

Presidenti Ilir Meta akuzoi mazhorancën për provokim ndaj tij sa i takon emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Meta nuk preferoi të përcaktonte ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit për të votuar dy anëtarë brenda dite, por ishte i qartë kur tha se kjo është përgjegjësi e tij dhe jo Presidentit.

Gazetarja: Parlamenti zgjodhi brenda së njëjtës ditë dy anëtarët që i takonin atij për Gjykatën Kushtetuese dhe ju e quajtët të vlefshme për sa kohë në arsyetimin që dhatë sot në dekretin për Marsida Xhaferllarin, thatë që Parlamenti i ezauroi dy vendet e veta dhe lista u shty. Pak a shumë kjo është logjika dhe Marsida, e cila ishte renditur e katërta në listën e KED, mund të ishte një mundësi e mirë për tu zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Meta: Duhet të kemi parasysh se ky proces ka qenë tërësisht transparent nga ana e Presidentit të Republikës. Presidenti nuk e konteston faktin që parlamenti ka pasur përgjegjësinë të zgjedhë vakancën e dytë. E ka pasur për detyrë dhe nëse presidenti brenda pak ditësh, sapo i erdhën listat, e bëri zgjedhjen e vakancës së parë, pra veproi menjëherë për ti lënë kohë parlamentit që të zgjidhte vakancën e dytë, cuditërisht parlamenti e shtyu në kohë vendimmarrjen  e tij për ti bashkuar të dyja vakancat bashkë vetëm dy ditë para se ti mbaronte afati kushtetues. Shumë e çuditshme sepse parlamenti është shprehur që kishte dëshirë që ta kryente këtë proces kaq me shpejt. 

Dhe pa asnjë diskutim që kemi të bëjmë me një rrethanë provokuese nga individë të mazhorancës për Presidentin e Republikës, që kanë keqpërdorur dhe kryetarin e KED-së, sipas të gjitha fakteve dhe provave në mënyrë që presidenti të vihej në këtë pozitë. Që ose të bëhej një veprim që do të anatemohej si shkelje e Kushtetutës, pra të firmoste të dyja vakancat menjëherë dhe ti thuhej që nuk ta lejon Kushtetuta këtë ose ti bëhej një interpretim përmes marrëzirave të tilla që ty të ka kaluar afati dhe po e shpallim vetë se kështu na e do qefi vetë.

Presidenti i Republikës nuk ka shprehur mungesë vullneti për të shprehur vakancën e dytë. Jemi në kushtet që Presidenti jo vetëm ka vullnetin, por ka kërkuar, ka paralajmëruar me shkrim në mënyrë shumë konkrete KED dhe ka njoftuar Kuvendin që të ndërmerren masat administrative për të garantuar respektimin e përgjegjësive kushtetuese si të Presidentit apo dhe të parlamentit që të mos kemi përplasje mes këtyre institucioneve dhe të mos kemi dëmtim të gjithë procesit të integritetit të Gjykatës Kushtetuese.

Tani do thoni, po Parlamenti në vend që ditën e hënë të zgjidhte një, zgjodhi dy. E kuptoj, por kjo është përgjegjësi e Parlamentit. Mund të fajësoni Presidentin që Parlamenti ka bërë një veprim të tillë? Parlamenti ka bërë dhe gjëra më të rënda. Nuk është se kjo është gjëja më e rëndë që ka bërë në raport me Kushtetutën dhe nuk dua të hy këtu. Kjo është mungesë përgjegjësie e Parlamentit sepse nuk kishte përse të vepronte në këtë mënyrë dhe të mos bashkëpunonte me Presidentin e Republikës kur e ka njoftuar zyrtarisht Kuvendin, KED, Avokatin e Popullit që monitoron KED dhe gjithë procesin për rëndësinë e bashkëpunimit që të gjithë të respektojnë kushtetutën dhe të mos kemi probleme dhe përplasja dhe sa më shpejt të krijohet Gjykata Kushtetuese.

EMISIONET