Helidon Bendo, matematicieni i emëruar në krye të SHISH

Helidon Bendo, matematicieni i emëruar në krye të SHISH

Helidon Bendo pritet të drejtojë Shërbimin Informativ Shtetëror pasi të jetë dekretuar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. 

Po kush është njeriu që pritet të drejtojë institucionin më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare? 

Helidon Bendo ka mbajtur detyrën e zv/Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror prej gati 18 muajsh deri në momentin që kryeministri Rama e ka propozuar këtë të hënë për të qenë në krye të shërbimit duke zëvendësuar Visho Ajazin, të cilit i kishte përfunduar mandati në gusht të këtij viti. 

Helidon Bendo u emërua nga kryeministri Rama në prill të vitit 2016 si numri dy SHISH, duke zëvendësuar në këtë detyrë pas shkarkimit Ylli Alushin, i cili e mbante këtë detyrë prej gati 13 vitesh. 

Presidenti i asaj kohe, Bujari Nishani, dekretoi emërimin e Helidon Bendos si numri dy i SHISH pa krijuar polemika duke dhënë të kuptohet se ishte një figurë e pranuar nga të gjithë. Para prillit të vitit 2016, Helidon Bendo, ka ushtruar prej 7 vitesh detyrën e Drejtorit të Drejtorisë në Aparatin Qendror të SHISH. 

Prej 21 vitesh në SHISH, Helidon Bendo, ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në AQ. Bendo ka lindur në qytetin e Korçës në 12 maj 1971. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. 

Ai është diplomuar në vitin 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe ka bërë gjithashtu një master për sigurinë në Georgetown University në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Zoti Bendo ka qenë gjithashtu emigrant në Greqi për një periudhë të shkurtër gjatë viteve 1991, 1992 dhe 1993, ku mesa vihet re në formularin e vetëdeklarimit të tij ka qëndruar maksimumi nga 3 muaj në vit në zona të ndryshme.  Zoti Bendo gjithashtu përdor edhe një emër tjetër, Johan, emri i pagëzimit dhe të cilin ai e ka përdorur gjatë kohës që ka qëndruar në Greqi.

 Helidon Bendo rezulton të ketë kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë brenda e jashtë vendit ndërsa zotëron gjuhën angleze dhe greke. Në ëeb sitin e Shërbimit Informativ Shtetëror thuhet se zotit Bendo i pëlqen të lexojë, peshkojë, udhëtoje dhe të kalojë kohë me familjen e tij. Ai ka qenë disa herë gjatë vitit të kaluar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ku ka raportuar sigurisht për kërkesat që kanë lidhje me buxhetin e këtij institucioni si dhe gjatë një séance ku u kërkua financimi i një pajisje për të përgjuar facebook, whats up dhe viber.

EMISIONET